TIRANË-Ministria e Financave dhe Drejtoria e Pagesave dhe Dëmshpërblimeve, njoftuan sot shpërndarjen e plotë të fondit të miratuar për vitin 2015 prej 2 miliardë lekësh, në zbatim të plotë të të gjitha përcaktimeve ligjore.

“Në zbatim të plotë të 25 vendimeve të Këshillit të Ministrave “Për dëmshpërblimin financiarë të ish- të dënuarve politikë”, Drejtoria e Pagesave dhe e Dëmshpërblimit ka realizuar shpërndarjen e fondit total të miratuar për vitin 2015 me një numër përfituesish prej 5,999 individë, nga ku: 508 përfitues për këstin e pare; 2,630 përfitues për këstin e dytë; 156 përfitues për këstin e tretë; 1,798 përfitues për këstin e katërt dhe 907 përfitues për këstin e pestë”, thuhet në njoftimin e MF.

Sipas MF, “shpërndarja e fondit është bërë në respekt të plotë të radhës së numrit rendor të pagesave për ish të përndjekurit. Në kuadër të problematikave të shfaqura dhe ankesave të përfituesve, si ato të mos pagesës së kësteve të 4-5 për kategorinë parësore, sqarojmë se pagesat nuk janë realizuar për mungesë dokumentacioni, të përcaktuar në aktet nënligjore për përfituesit, si dhe janë ende në analizë dokumentacionet e mbërritura, sipas kategorive të përcaktuara në ligj”.

Ndërkohë, vijon MF, “mospagesa e këstit të parë për kategorinë jo parësore dhe raste të mos shpërndarjes korrekte të vlerës së miratuar kanë ardhur si rezultat i mungesës së dokumentacionit të dërguar nga përfituesit, si një problematikë e trashëguar nga pagesat e kryera në vitet 2009 – 2013, si dhe nga disa pasaktësi të kryera në këtë periudhë, të cilat po korrigjohen në pagesat e kësteve vijuese”.

“Të gjithë qytetarët përfitues, pjesë e kategorive parësore dhe joparësore, duhet t’i referohen vetëm informacionit zyrtar të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave. Ministria e Financave vlerëson bashkëpunimin me përfituesit që iu përgjigjën në kohë kërkesave për plotësimin e dokumentacionit për përfitimin e dëmshpërblimit financiar dhe realizimit të objektivave të saj strategjik për vitin 2015”, thekson MF në njoftimin për shtyp.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: