Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për herë të parë rreth përgatitjeve për Samitin e Mini-Shengenit. Ai në “Zonën e Debatit” në Klan Kosova vlerësoi se Kosova po gabon që refuzon pjesëmarrjen në Samitin e Mini-Shengenit, pasi në të SHBA do të dërgojë edhe dy përfaqësues të saj.

“Ne kishim rënë dakord që do të bënim këtë Samit në Durrës. Dhe koncerti përkon me një ditë përpara Samitit, ku nuk do të vijnë vetëm dy, presidenti dhe kryeministri i Serbisë. Do të vijnë të gjithë, Kosovën përsëri e kam ftuar. Do të vijnë nga SHBA, i dërguari special i SHBA-ve Matthew Palmer më ka shkruar personalisht dhe më ka kërkuar dy ftesa zyrtare, sepse do të dërgojë dy persona të posaçëm nga departamenti i Shtetit në mbështetje të këtij procesi. Do të vijnë nga Komisioni Europian por akoma nuk kemi një konfirmim, nga Banka Europiane. Do të vijnë të gjithë”-tha Rama.

Por pse do jenë pjesëmarrës të gjithë?

“Sepse është një proces që e mbështesin të gjithë. Nuk i kemi akoma konfirmimet e fundit por Franca, Europa, kanë ndonjë dyshim lidhur me atë aspekt shqetësues që përbën për të gjithë ne Serbia apo janë në një proces konspiracioni ndaj Kosovës. Nuk ka gjë më të gabuar sesa fitimtari (Kosova është fitimtari i luftës) të kthehet në humbës, të izolohet e të kërkojë madje edhe nga ne (që jemi miq bashkë) që të izolohemi”.Çështja e Kosovës në raport me Serbinë, nuk mund të zgjidhet me kërcënim dhëmbësh, vetizolim. Por mund të zgjidhet vetëm duke folur. Nuk di unë ndonjë konflikt në këtë botë që zgjidhet pa folur. Natyrisht që t’i flet me kundërshtarin që deri dje ka qenë armiku yt. Për mua një nga sfidat është që asgjë në atë që kemi planifikuar për shërbime publike të mos cënohet për shkak të tërmetit. Dhe procesi i nisur në këtë aspekt s’ka pse të ndalet dhe s’ka arsye të ndalet. Jemi një muaj mbrapa do të vazhdojë jeta normale, ndërkohë që jeta ime është bërë anormale”, shprehet Edi Rama, duke iu referuar ngjarjeve tragjike nga tërmeti që goditi Shqipërinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb