Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, priti sot në takim Ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, me të cilën diskutoi mbi forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe prioritetet e Shqipërisë në procesin e integrimit.
Në fokus të bisedës ishte mbështetja e Bashkimit Europian për forcimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit, luftën kundër krimit të organizuar dhe rikuperimin e aseteve kriminale, si dhe për menaxhimin e kufijve dhe migracionit, në përputhje me standardet evropiane dhe kërkesat e Schengenit.
Ministri Demo theksoi se, në këtë fazë të procesit të integrimit, objektivi është ndërtimi i institucioneve më të forta, forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si dhe arritja e rezultateve konkrete, të matshme dhe të qëndrueshme.
“Partneriteti me Bashkimin Europian do të vijojë të mbështesë reformat dhe avancimin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit”, u shpreh ministri Demo.
