Në intervistën për Deutche Welle, ministri gjerman i shtetit Michael Roth u shpreh se Gjermania është kundër korrigjimit të kufirit mes Kosovës e Serbisë. Roth tha se përsiatje të tilla janë të rrezikshme për rajonin. Duke u ndaluar në rolin e Shqipërisë në Ballkan, ministri gjerman theksoi se pret nga vendi ynë të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive për stabilitet në të gjithë rajonin.

 Opinioni shqiptar aktualisht është disi i shqetësuar në lidhje me përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë. Ish-ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka qenë kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan. Kryeministri dhe de jure ministri i jashtëm i Shqipërisë, Edi Rama, i shmanget përgjigjes së kësaj pyetjeje në publik, por shumëkush mendon se ai është pajtuar tashmë me këtë plan. Si e shikoni ju ndihmesën e Shqipërisë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës?

Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për ne. Përpjekja për zhvendosje kufijsh ka shkaktuar vuajtje të pafundme në të kaluarën. Prandaj, sipas meje, këto përsiatje, jo vetëm që nuk premtojnë shumë sukses, por janë edhe tejet të rrezikshme. Çfarë na nevojitet, është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila i rregullon përfundimisht marrëdhëniet, i mundëson Serbisë dhe Kosovës të anëtarësohen në BE dhe i zgjidh me marrëveshje të gjitha çështjet teknike që janë ende të hapura. Nga Shqipëria  ne presim që kjo ta përdorë në mënyrë konstruktive ndikimin e saj politik dhe të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive për stabilitet në të gjithë rajonin. Kjo vlen veçanërisht për çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mund të jetë vetëm në interes të Shqipërisë, si pjesë e rajonit, që të parandalojë me çdo kusht një destabilizim të ri të Ballkanit Perëndimor, gjë që detyrimisht do të vijonte nga ndryshimi i kufijve.

Gjermania është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan, por SHBA dhe Komisioni i BE-së nuk janë kundër.  Aktualisht ekziston një shtytje e madhe nga ana e SHBA-së për të arritur një marrëveshje edhe para zgjedhjeve për Parlamentin e Evropës. Si do të ndikonte kjo marrëveshje në procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE?

Është e vërtetë se ka qëndrime të ndryshme në lidhje me ndryshimet kufitare. Qëndrimi ynë është se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet ta rrisë stabilitetin në të dyja vendet dhe në rajon. Unë nuk shoh se si mund të arrihet kjo me ndryshime kufijsh. Përkundrazi, Ballkani Perëndimor nuk do të binte në qetësi. Nga vendet fqinje dëgjoj vazhdimisht se ata janë të shqetësuar për këtë diskutim, sepse shohin rrezikun e efektit të dominosë. Për proceset e anëtarësimit në BE kjo me siguri që nuk do të ishte aspak e dobishme./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb