NGA ANILA JOLE*

Greqia jep sinjale për zbutjen e toneve dhe përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë. Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, gjatë fjalës së mbajtur në qendrën e studimeve europiane të Universitetit të Oksfordit, ka deklaruar Greqia ka gati disa propozime realiste për zgjidhjen e të gjitha problemeve mes vendeve.

“Greqinë dhe Shqipërinë i lidh një e kaluar e përbashkët e pasur, por edhe ëndrrat dhe perspektiva e përbashkët. Greqia është vendi që ka pritur shumicën e emigrantëve shqiptarë. Një pjesë e madhe e GDP-së së vendit vjen nga ata. Ne jemi me fat që i kemi ata në shoqërinë tonë. Në universitetet tona, studentët më të mirë çdo vit janë renditur fëmijët e emigrantëve shqiptarë. Në po miratojmë një ligj që iu jep fëmijëve të emigrantëve të drejtën e shtetësisë greke”, tha ministri grek.

Ai pohoi se “ekzistojnë shumë probleme jo vetëm nga e kaluara, por edhe për shkak të pikëpamjeve të një pjese të lidershipit të vendit fqinj, si moszbatimi i atyre për të cilat është rënë dakord, kundërshtimi i zbatimit të dispozitave të së drejtës ndërkombëtare, të drejtat e minoritetit grek etj”.

Në këtë kontekst, diplomati grek ka shprehur vullnetin e Athinës për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet. “Ne kemi predispozicion t’i zgjidhim problemet dhe të kapërcejmë çdo vështirësi. Do të propozojmë së shpejti një paketë me propozime për zgjidhjen e të gjitha problemeve, që do të jetë realiste, shpresëdhënëse dhe në dobi të të dy popujve”, deklaroi Kotzias.

Këto deklarata bëhen në një kohë kur klima mes dy vendeve është tensionuar dukshëm, kryesisht për shkak të çështjes së kufijve detarë.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: