Gjermania, Franca dhe Britania janë të gatshme të zhvillojnë bisedime të menjëhershme me Iranin mbi programin bërthamor të Teheranit në një përpjekje për të çtensionuar situatën në Lindjen e Mesme , tha Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul.
Wadephul, i cili ndodhet për një vizitë në Lindjen e Mesme, tha se po përpiqej të kontribuonte drejt një uljeje të tensioneve të konfliktit midis Izraelit dhe Iranit, duke vënë në dukje se Teherani më parë nuk kishte arritur të shfrytëzonte mundësinë e bisedimeve konstruktive.
“Shpresoj që kjo është ende e mundur. Gjermania, së bashku me Francën dhe Britaninë, janë gati. Ne po i ofrojmë Iranit negociata të menjëhershme në lidhje me programin bërthamor, shpresoj që (oferta) të pranohet. Ky është gjithashtu një parakusht kyç për arritjen e një paqësimi të këtij konflikti, që Irani të mos paraqesë rrezik për rajonin, për shtetin e Izraelit apo për Evropën”, tha Wadephul për transmetuesin publik gjerman ARD të shtunën vonë.
Wadephul, i cili ndodhet në Oman të dielën, tha se konflikti do të përfundojë vetëm kur të ushtrohet ndikim mbi Iranin dhe Izraelin nga të gjitha anët.
“Ekziston një pritje e përbashkët që brenda javës së ardhshme, të bëhet një përpjekje serioze nga të dyja palët për të ndërprerë spiralen e dhunës”, tha ai./ Reuters
(BalkanWeb)