Gjilani ka nisur në mënyrën më të mirë kampionatin e ri, duke shënuar edhe fitoren e dytë radhazi në Albi Mall Superligën e Kosovës. Skuadra gjilanase ka triumfuar si mysafire ndaj Llapit me rezultat 2:0, në përballjen e zhvilluar, të dielën, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Protagonisti kryesor i këtij takimi ishte Oltion Bilali, i cili me dy golat e realizuar në pjesën e parë vulosi triumfin e kuqebardhëve.

Goli i parë erdhi në minutën e 19-të. Pas një aksioni të ndërtuar mirë nga mysafirët, Arbër Potoku asistoi për Bilalin, i cili me një goditje të saktë me kokë e mposhti portierin vendas.

Gjilani e dyfishoi epërsinë katër minuta para përfundimit të pjesës së parë, kur Bilali shënoi edhe një herë, duke i dhënë skuadrës së tij një avantazh të sigurt para pushimit.

ë vazhdim, Llapi tentoi të ndryshonte rrjedhën e ndeshjes dhe pati disa raste të mira shënimi, përfshirë edhe një goditje në shtyllë. Megjithatë, mbrojtja e Gjilanit dhe intervenimet e portierit Çoriq nuk lejuan ndryshimin e rezultatit.

Me këtë fitore, Gjilani ka marrë maksimumin e pikëve në dy xhirot e para dhe konfirmon një nisje pozitive të edicionit, ndërsa Llapi ende nuk ka arritur të gjejë pikët e para në këtë kampionat.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb