TIRANE– Situata ekonomike në vend dhe të ardhurat nga tatim-fitimi janë vënë në qendër të diskutimeve gjatë ditëve të fundit, nisur edhe nga deklarimet e bëra nga disa shoqata të ndryshme. Pas shqetësimeve të shprehura për “rënien e ndjeshme të të ardhurave nga tatim fitimi” dhe paralajmërimin për “rrezikun e dështimit të plotë edhe të recetave të FMN-së, të parashikuara në marrëveshjen e kredisë të vitit 2014 me qeverinë shqiptare”, ka reagur edhe Ministria e Financave. Në një deklaratë për mediat, Ministria e Financave sqaron se e ardhura nga taksa e “Tatim Fitimit” për tremujorin e parë Janar – Mars 2015 është 8.896.707 mijë lekë, që do të thotë 24.92 % më shumë se plani dhe/ose 40.19 % më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit 2014.

“Të dhënat paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve flasin për rritje të arkëtimit të këtij tatimi, i cili ka qenë në vlera negative vetëm për muajin janar 2015 dhe ka shënuar shifra pozitive për muajt shkurt e mars 2015, në raport me planin dhe faktin.

Vetëm për muajin Mars 2015, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka shënuar si të hyra fiskale për këtë tatim 67.09% më shumë se sa treguesi i shënuar në marsin e vitit 2014.

Pra, në tremujorin e vitit 2014 janë arkëtuar 6.35 miliardë lekë, ndërsa në periudhën respektive të vitit 2015 janë arkëtuar 8.9 miliardë lekë. Plani i mbledhjes së të ardhurave për këtë periudhë ka qenë 7.122 miliardë lekë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Sipas këtij institucioni, rezultatet progresive në mbledhjen e të hyrave fiskale tregojnë se janë pjesë e drejtpërdrejt e politikës së miradministrimit të taksave dhe tatimeve, e rritjes së efikasitetit të punës së enteve shtetërore që menaxhojnë të hyrat fiskale, si dhe e klimës përherë e më të mirë të krijuar për sipërmarrjen vendase dhe të huaj, në mbështetje edhe të luftës kundër informalitetit, evazionit dhe shmangies tatimore.

Ministria e Financave thekson ndërkaq, se do të vijojë punën për zbatimin e strategjisë së luftës kundër informalitetit, dhe do kontribuojë në respektimin e marrëveshjeve të nënshkruara me institucionet financiare ndërkombëtare, përfshirë FMN dhe BB.

(e.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb