Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, deklaron se anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të hapë rrugë për drejtësi dhe ngritjen e një padie ndaj Beogradit për gjenocid.

Ajo ka deklaruar se kanë pasur disa takime me ekspertë të profilizuar në krimin që ndërlidhet me gjenocidin.

Haxhiu tha se Serbia vazhdon të mos i dorëzojë autorët e krimeve gjatë luftës ndaj shqiptarëve të pafajshëm.

“Adresimi i krimeve që kanë ndodhur gjatë periudhës së luftës, ju e dini që ka qenë prioritet i qeverisë. Në këtë drejtim më lejoni vetëm shkurtimisht t’i përmend disa prej veprimeve që i kemi ndërmarrë dhe në këtë rast siç e dini në vitin e kaluar ne kemi ngritur për herë të parë me ligj një institut që do të merret me hulumtimin dhe dokumentimin që kanë ndodhur gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Në anën tjetër kemi adresuar çështjen e gjykimit në mungesë të kriminelëve të luftës duke pasur parasysh faktin që Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës dhe në anën tjetër kemi adresuar strategjinë për drejtësinë tranzicionale, e cila është për momentin në vlerësim financiar nga Ministria e Financave dhe do të procedohet për votim në mbledhjen e Qeverisë, pra që adreson nevojat që kanë viktimat,” deklaron Haxhiu.

Ajo thotë se e kanë në prioritet edhe padinë për gjenocid, ku kanë pasur disa takime në raport me këtë çështje me ekspertë të profilizuar me krimin që ndërlidhet me gjenocidin.

“E kemi në programin qeverisës dhe prioritet edhe padinë për gjenocid dhe kemi pasur disa takime në raport me këtë çështje me ekspertët që janë të profilizuar në krimin që ndërlidhet me gjenocidin. Mirëpo, për shkak të ndjeshmërisë së kësaj çështje nuk mund të jap më shumë informacione. Ndërsa, natyrisht që pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës ne na hapen shumë rrugë dhe sigurisht bazuar në këtë do të vlerësojmë edhe veprimet që dalin pas anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës që ta shfrytëzojmë si mekanizëm në kuptim të vendosjes së drejtësisë”, tha Haxhiu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: