TIRANE-Kryeministri Edi Rama ka komentuar sot qëndrimin e opozitës, e cila refuzoi të votonte projektligjin për ‘Vettingun’, pjesë e paketës për ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi.

Me anë të një statusi në rrjetin social ‘Facebook’, Rama theksoi se pavarësisht refuzimit nga PD, reforma në drejtësi nuk ndalet dhe se ajo u mbështet nga SHBA dhe BE.

“PD refuzoi sot projektligjin e Vetingut që mbështetet nga SHBA/BE! Drafti kaloi në komision me votën e shumicës? ‪#‎ReformanëDrejtësinukndalet‬”, citohet në mesazhin e Ramës.

Maxhoranca miratoi në parim sot draftin e ‘Vettingut’, por nuk pranoi 25 amendamentet e PD. Opozita ndonëse ishte e pranishme në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi, nuk pranoi të votonte. Pas mbledhjes, në një prononcim për mediat, deputeti Pandeli Majko tha se miratimi i këtij projektligji ishte bërë me konsensus të plotë nga maxhoranca. Ndërkohë, qëndrim krejt ndryshe ka mbajtur deputeti Oerd Bylykbashki, i cili theksoi se miratimi i kësaj reforme ishte antikushtetuese dhe devijim nga ndryshimet kushtetuese të miratuara më 22 korrik.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: