DIMAL

Këshilli Bashkiak i Urës Vajgurore u mblodh mesditën e sotme për të votuar për ndryshimin zyrtar të emrit të bashkisë,që tashmë do të quhet bashkia Dimal. Mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak është çelur nga kryetari i këshillit,Husen Hoxha dhe më pas ka qënë kryetarja e bashkisë, Juljana Memaj ajo që ka folur edhe për idenë e hershme të ndryshimit të emrit nga bashkia Urë-Vajgurore në bashkia Dimal,ide që u hodh menjëherë pas zbulimit të rrënojave të qytetit antik Dimal në territorin e kësaj bashkie.

Për rreth një vit me radhë,bashkia e kësaj qyteze ka ngritur grupe pune për rijetëzimin e qytetit antik Dimal,një nga qytetërimet më të vjetra Ilire që daton nga vitet 200 para erës sonë.

Pikërisht sot,pas shumë konsultimeve publike me komunitetit,kjo nisëm për ndryshimin e emrit të bashkisë mori formë institucionale pasi 19 këshilltarët e Këshillit Bashkiak votuan “pro” për ndryshimin e emrit në bashkia Dimal. Ky vendim i marrë sot nga këshillit bashkiak nuk ka si qëllim ndryshimin e kufijve por zhvillimin e zonën përmes turizmit historik. Në takim ka folur edhe arkeologu Hysen Hoxha,i cili ishte i pari që zbuloi rrënojat e këtij qyteti antik.

Kryetarja e bashkisë,Juljana Memaj,menjëherë pas miratimit të ndryshimit të emrit të bashkisë në bashkia Dimal,ka deklaruar se,sot për gjithë këtë qytezë është një ditë e shënuar.

“Ka qënë një propozim në bazë të ligjit për pushtetin vendor dhe ne kemi punuar prej disa vitesh për rijetëzimin e qyteti antik Dimal. Avantazhet kryesore që na sjell ndryshimi i emrit të bashkisë janë avantazhet ekonomike që do të realizohen nëpërmjet zhvillimit të turizmit historik.Arkeologët janë duke punuar për të rijetëzuar qytetin antik të Dimalit dhe për ta shndërruar atë në një sit arkeologjik nëpërmjet anfiteatrit dhe një muzeu historik që do të ndërtohet aty,duke e shndërruar këtë zonë në shumë të vizitueshme për turistët. Ky ndryshim nuk do të ketë asnjë kosto për qytetarët dhe nuk do të ketë ndyrshime kufijsh”- ka thënë në një deklaratë për mediat, kryetarja e bashkisë Dimal, Juljana Memaj.

Eshtë hera e parë,që pas vitit 1992, kur u krijuan 36 rrethet e para në Shqipërinë paskomuniste,kur merret një vendim i tillë nga një bashki në vendin tonë. Emrin Ura-Vajgurore, qyteti e mori në vitet 1946-1947, kur në këtë lokalitet u vendosën depozitat e mëdha të vajgurit të cilat përpunoheshin në Kuçovë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb