Jo vetëm futboll, por edhe një pasion të çmendur për muzikën. Megjithatë gjatë jetës së tij ka kënduar vetëm një herë. Ndoshta të paktë janë ata që e dinë, por Mirel Josa është i lidhur ngushtë me artin dhe të bukurën në përgjithësi. Në një rrëfim unik, ai ka zbuluar jetën e tij nga fëmijëria e deri te trajningu. I ftuar në “TVSH”, në emisionin “Turni i Tretë” të drejtuar nga Marsela Çibukaj, trajneri i Tiranës ka treguar hapat e parë në futboll, vështirësitë në kohën Komunizmit, por edhe privilegjet e shumta. Është i lidhur ngushtë me ngjyrat e Tiranës dhe idhulli i tij në futboll ka qenë Roberto Betega, megjithatë futbollistin më të mirë në botë cilëson Zinedin Zidan.

Riktheheni te Tirana, si ndiheni në këtë detyrë të re?
Nuk është e thjeshtë në fakt. Kjo është hera e tretë që marr drejtimin e Tiranës dhe vështirësia rritet kur dihet që u bënë vite që ky klub nuk ka marrë trofe.

Na flisni pak për Tiranën dhe rëndësinë e këtij klubi për kryeqytetin dhe për futbollin shqiptar në tërësi?
Do flas për atë që kam përjetuar unë. Si futbollist kam luajtur para viteve ’90 me këtë ekip. Pastaj u riktheva si trajner. Janë të ngjashme periudhat, por mbështetja e tifozëve dhe reklama që u bëhet, është më e madhe. Në vitin 1975 unë isha vetëm tifoz i këtij ekipi dhe mbaj mend që në stadiume vendoseshin disa flamuj apo banderola. Por ishin të kufizuara gjithsesi, asokohe mbaheshin tifozët e “Varrit të Bomit”, që janë si “Fanatics”-at tani. Por në këto vite ka më shumë lirshmëri.

Si ka ardhur futbolli te Josa?
Që i vogël, luaja në rrugicat e lagjeve. Kam jetuar te rruga “Myslym Shyri” asokohe. Më pas kemi përdorur oborret e shkollave, por në mënyrë amatoriale sigurisht. Në klasë të 5-të kalova te shkolla “11 Janari” dhe aty stërvitej ekipi Dinamo. Ishte shumë skuadër e rëndësishme në atë kohë. U regjistrova me grumboshat e Dinamos, ndërkohë që im atë ishte i sëmurë pas Tiranës. Babai ishte doktor dhe i pëlqente shumë futbolli, edhe ka luajtur, por jo si profesionist. Nisa të stërvitesha, por pa dijeninë e prindërve dhe kur u mor vesh që Mireli ka nisur stërvitjen, u bë një minigjyq në shtëpi. Mamaja nuk donte.

Çfarë donte nëna juaj që të bëheshit?
Shkolla duhej të ishte prioritet, sikundër e kanë nënat. Ndërsa babait i pëlqente si ide, madje shokët e tij, që më kishin parë duke luajtur, i kishin folur mirë për aftësitë e mia.

OK, po si u prit fakti që u bëtë pjesë e Dinamos?
Nuk donin që të shkoja te Dinamo, e thanë hapur. Pas një jave, iki vetëm te fushat e Ali Demit, ku stërviteshin grupmoshat e Tiranës. Nuk i kisha thënë askujt, as babait. Shkoj e bisedoj me profesor Sami Shuhaipin dhe më pranon. Isha 12 vjeç. Ai pa që kisha të dhëna dhe kisha shtatlartësi. Por më e bukura ndodhi me materialet sportive që më dhanë. Unë nuk mund t’i çoja në shtëpi për t’i larë pasi po stërvitesha fshehurazi. Ndaj i çoja te gjyshja. Kur shkon ime më pas disa ditësh, gjyshja e shqetësuar i thotë: “Dëgjo goce, çuni më duket është duke vjedhur rroba”. E, sigurisht, pas këtij momenti u zbulua e vërteta. Kur im atë e mësoi që iu bashkova Tiranës tha: “Shumë mirë, aty do shkosh”.

Dimë që keni pasur një çorientim të vogël edhe prej muzikës, e vërtetë?
Më pëlqente shumë muzika. Daja im, Xhavit Zhepa, mundohej që të më angazhonte. Donte që të merresha me kitarë, por s’mundesha. Kam kënduar vetëm një herë në jetën time, por fshehtas, si gjithnjë. Kemi pasur një mësuese muzike, më kërkoi që të këndoja një këngë popullore. Pasi e këndova, u largova direkt. Mbaj mend që ishte kënga “Te Shkalla e Tujonit”.

A këndojnë futbollistët?
Jo vetëm këndojnë, por këndojnë shumë bukur. Unë e kam praktikuar këtë pjesë në Greqi, në vitet ’90. Kur fitonim apo kishim ndonjë eveniment, shkonin nëpër buzuqe. Kur u ktheva në Shqipëri, kjo traditë kishte hyrë edhe këtu. Futbollistët janë qejflinj pas artit në përgjithësi.

Pas kaq shumë vitesh karrierë, nëse do riktheheshit në kohë, a do zgjidhnit sërish Tiranën?
Nuk bëhem pishman kurrë. Madje jam krenar që kam veshur ngjyrat e asaj fanelle. Kam bashkëpunuar me njerëz që më kanë edukuar me dashurinë për këtë fanellë. Ka pasur gjithnjë njerëz që më mbanin afër, këtu mund të përmend Baçin apo Memën që kanë qenë kapitenë apo trajnerë që kanë udhëhequr Tiranën e madhe, si: Bari Ishka, Luigj Bytyçi apo Enver Shehu dhe Ali Mema që janë emblema të Tiranës. Shok shumë i mirë i imi ka qenë Ben Minga, të cilin e kisha edhe shok dhome. Por tek unë ka ndikuar shumë edhe edukata familjare për të dashuruar fanellën e Tiranës. Ata kanë rol të rëndësishëm.

Sportistët e viteve tona më shumë merren me dukjen, po në kohën tuaj çfarë stili kanë pasur?
Nuk mund të bësh krahasime. Sepse tani janë liruar gjërat, njerëzit kanë më shumë hapësira. Ne kemi qenë të ndrydhur, por gjithsesi ishim “ajka”. Ne na kishin idhuj asokohe dhe mundoheshin të na imitonin. Ishim të vetmit njerëz që mund të vishnim bluxhins, ishim më modernët. Pra, kemi qenë të privilegjuar, por ishim edhe në “lupë”. Regjimi ishte i ashpër, qoftë për daljet jashtë shtetit apo sa i përket propagandës, ndaj duhet të ishim shumë të kujdesshëm.

Dëgjonit muzikë të huaj atëherë?
“Hit Parade”-t i dëgjonim vazhdimisht, kryesisht muzikën e Çelentanos apo Nikola Di Barit.

Kënga e preferuar?
“Storia D’amore”.

E mbani mend herën e parë që jeni larguar jashtë vendit?
Në vitin 1980. Me ekipin kombëtar të të rinjve. Në Turqi kemi luajtur disa ndeshje për kampionatin ballkanik. Brenda vitit mund të lëviznim mesatarisht 4-5 herë.

Po në Itali kur keni ikur për herë të parë, meqenëse përmendët Çelentanon?
Në Itali kam blerë kasetat e para. I futa fshehurazi në doganë. Blemë një magnetofon në Breshia, një “Sterio”. Në kthim, u ndalëm në Milano për pazare dhe morëm edhe kasetat. Në bashkëpunim me ushtarët e doganave, i futëm në Shqipëri.

Si dukeshin vendet e huaja në sytë e një shqiptari?
Ishim pak të hutuar fillimisht. Sidomos kur shkonim në Perëndim. Para se të iknim jashtë, na vinin njerëz të shtetit dhe na bënin propagandë, na mësonin se çfarë duhet të thoshim dhe si duhet të silleshim. Por edhe ne ishim të zgjuar, merrnim instruksione edhe nga familja. Na thoshin që s’duhet të flisnim, pasi rrezikonim “Agjitacion dhe propagandë”. Çdo herë që jam kthyer nga jashtë, më duhej një javë që të merrja veten. Nga diferencat. Ne na thoshin që ata s’kishin bukë të hanin, ndërsa atje kishin bollëk. Kemi jetuar në vite të vështira, por ishim më të privilegjuar gjithsesi. Në çdo drejtim. Kishim mbështetje nga shteti, s’mund ta hedhim poshtë këtë gjë.

Po kur luanit kundër skuadrave të huaja, keni marrë ndonjë ofertë joshëse?
Po, dy kanë qenë. Por jo oferta zyrtare. Kur kemi luajtur me Shpresat, kundër Italisë, mbaj mend që ishte prill 1984. Dhe pas një jave shkuam edhe ne Breshia për të kthyer vizitën. Aty më thanë që të rrija dhe të kërkoja strehim fetar. Ishte hera e parë që vishnim kostume. Erdhën më morën në një hotel dhe më propozuan që të qëndroja në Itali. Më thanë që një vit s’do luaja dot, por do merrja pasaportën italiane. Unë atëherë isha i çmendur pas Italisë nga ana e futbollit. Por unë isha shumë i lidhur me familjen dhe kur ata e kuptuan këtë, më thanë që nuk mund ta përballoja. Kthimi ishte dëshpërues. Por nuk kisha zgjedhje tjetër, duke pasur parasysh se çfarë mund të pësonin njerëzit e familjes.

Cila ka qenë një nga ndeshjet më të bukura me Tiranën?
Kanë qenë të shumta, por do veçoja kualifikimin me Dinamon e Bukureshtit në ’86. Ka qenë ndeshje e mirë në çdo aspekt. Ai ekip pati ecuri të shkëlqyer.

Pas shumë kohësh si futbollist te Tirana, u larguat në Greqi. Na tregoni pak për këtë përvojë?
Ishte viti 1991 kur unë vendosja të shkoja në Greqi. Pata një propozim nga Arisi i Selanikut. Firmosa kontratë 3-vjeçare vetëm se nuk doja të kthehesha në Shqipëri dhe jo prej parametrave financiare.

Pse kjo dëshirë për të mos u kthyer?
E vendosa këtë gjë në fillimet e viteve ’90. Nuk ishte periudhë e qëndrueshme. Isha 28 vjeç dhe doja ta provoja diçka të re. Kam qenë i dëmtuar në gju dhe kështu luajta për njëfarë kohe. Por në Shqipëri nuk u operova dot, pasi rikuperimi në menisk zgjaste 5-6 muaj. Më vizituan mjekët e ekipeve kombëtare, qoftë të Greqisë dhe Francës, apo edhe të Bajernit të Mynihut në ’89. Në Mynih më thanë që të rrija dhe do paguanin ata gjithçka. Më duhej vetëm të shtyja biletën me një ditë. Por këta thanë “jo”. Duhet të bëja shkresë në një institucion shtetëror, por refuzuan me pretekstin që edhe në Shqipëri kishte mjekë.

Më kë luajtët tjetër në Greqi?
Me Arisin fillimisht për një vit dhe më pas me Kavallën, ku luajta për 4 vite.

Kishte ndryshime krahasuar me ekipet shqiptare?
Ishin shumë profesionistë. Me mua atëherë ishte edhe Artur Lekbello. Na pritën shumë mirë. Shoqërinë më të madhe e kisha me grekët. U mësuam shpejt, pastaj dihet që ata janë shumë qejflinj. Burri i motrës sime madje kur do shkoja në Greqi më tha “do shkosh për qejf apo për të luajtur…?” (qesh).

Cilën këngë greke kujtoni edhe tani?
Kam dëgjuar shumë këngë greke edhe kur ishim në Shqipëri. Ka qenë Jorgo Dalaras, ishte potencial i atyre viteve.

Qëndruat thuajse një dekadë në Greqi, pastaj u kthyet te Tirana. Si ishte rikthimi?
Të dyja vajzat i kam rritur në Greqi, Lorna erdhi kur ishte vetëm 5-muajshe, ndërsa Klaudia lindi në Kavalla. Kushtet ishin shumë të mira. Atje të them të drejtën u lidhëm. Kur u ktheva, nuk kisha ndonjë dëshirë të madhe. Futbollin e lashë në vitet 2000, në moshën 37-vjeçare, pastaj nuk kisha më leverdi të rrija. Ndaj në 2003-ën erdha pasi nuk m’u krijuan hapësira për profesionin e trajnerit. Më pëlqente shumë kjo gjë. Pata fatin këtu që drejtuesit e Tiranës më besuan. President ishte El Sajed, që nuk jeton më. Ai më besoi ekipin dhe këtu nisi rrugëtimi si trajner.

Nga lojtar në trajner, çfarë ndryshoi?
Futbollisti nuk mendon shumë gjëra. Ai mendon të luajë individualisht, për veten. Ndërsa trajneri ka më shumë siklete, ka presion dhe më shumë njerëz që duhet t’i menaxhojë. Një trajner nuk do vetëm lojtarët e mirë, por duhet të dijë që t’i bëjë grup që të ketë rezultate. Unë asokohe mora një ekip me shumë futbollistë të mirë, por s’e bëra unë Tiranën kampione, pasi ata ishin të tillë. Por pata fat që të merrnim trofe.

Kush mund të konsiderohet prej jush si futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave?
Unë jam frymëzuar nga disa futbollistë, për nga mënyra si luanin. Simpatizoja Italinë dhe isha tifoz i Juventusit. Në fillimet e mia, që kur luaja me të rinjtë, më pëlqente Roberto Betega. Por, kur u bëra trajner dhe e pashë futbollin me sy tjetër, mund të them që më i miri në botë është Zinedin Zidan. Kisha debulesë për atë lojtar, për mënyrën si luante dhe shprehej në fushë. Ishte lider.

Çfarë duhet të ketë një lojtar që të jetë lider?
Veç anës teknike, duhet të ketë frymën e grupit. Duhet të dijë të komunikojë me ambientin sportiv, me lojtarët në dhomat e zhveshjes, por edhe me publikun. Të gjitha këto pastaj pasqyrohen në fushë.

Kombëtarja si ju duket?
Ishte një rritje shumë e madhe, e grupit, stafit dhe FSHF-së. Bënë një revolucion dhe shkuan deri në Francë. Suksesi me dështimet janë shumë pranë, ndaj edhe ne duhet të jemi më optimistë. Pas një humbjeje, ne hedhim poshtë punën e bërë. Ne tironsit kemi një shprehje, “i hedhim poshtë për dy pare spec”. Italia doli kampione bote në vitin 1982 dhe në edicionin tjetër nuk u kualifikua dot në Europian. Dhe kush jemi ne para Italisë? Asgjë. Ndaj u them edhe lojtarëve të mi gjithmonë që nuk të kujton kush për çfarë ke bërë, por për atë që do të bësh.

Ka Josa një mesazh për të rinjtë?
Futbolli është shumë i bukur, është një reklamë më vete. Janë të shumtë prindërit që duan t’i bëjnë futbollistë fëmijët dhe kjo është pozitive. Por unë them që efekti nuk është profesionalizmi, po masiviteti, që kohët e fundit te ne ka humbur. Tani mungojnë terrenet e përshtatshme. Gjithçka është bërë me pagesë. Qoftë trajnerët që punojnë me të vegjlit s’kanë ambiente. Ka humbur pasioni origjinal. Sporti të largon nga veset./panoramsport
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: