Një deklaratë e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët ka sjellë reagimin e një mjekeje e më pas edhe të sekretarit të përgjithshëm të PD-së Gazment Bardhi.

Basha bëri një deklaratë të fortë teksa komentoi edhe Kirurgjinë e re në Qendrën Spitalore Nënë Tereza duke pohuar se ka pasur raste kur pacientët kanë ndërruar jetë, pasi sipas tij për të shkuar nga urgjenca në sallat e operacionit duhet më shumë kohë.

“…në qoftë se të duheshin një minutë apo dy minuta për të kaluar nga emergjenca në sallë operacioni, tani duhet të kalosh dy-tre ashensor. Pse?! Për hir të fasadës. Dhe kanë filluar vdekjet e atyre pacientëve, të cilëve mund t’u shpëtohet jeta, në qoftë se thelbi do të kishte prevaluar mbi fasadën. Jo, fasada në këtë rast, kontekstualisht, po vdes njerëz në QSUT”, deklaroi kreu i PD.

Por mjekja Silvana Çeliku në një postim në rrjetet sociale thotë se ajo çka është thënë, është budallallëk.
“Sot të gjitha gazetat kishin prononcimin e kryetarit të opozitës për sallat e kirurgjisë dhe për pacientët që vdesin ndërkohë që hipin në ashensor. Bëni mirë ju që jeni rrotull kryetarit të informoheni vetë më mirë e mos i vini kryetarit në gojë fjalë që e nxjerrin atë më falni për shprehjen, komplet injorant. Unë nuk jam as e majtë e as e djathtë, jam thjesht profesioniste e në punën time dua të kem dinjitet, kushte të mira pune e një pagë të mirë. Kirurgjia e përgjithshme kishte 90 vjet që nuk kishte parë asnjë investim si ai i bërë kohët e fundit. Kush e mohon ose është qorr ose është ziliqar e nihilist.
A punojmë sot ne kirurgët në kushte më të mira në sallat e operacioneve për shkak të Partneritetit Publik Privat të sterilizimit? Pa diskutim që po. Mos e dhëntë zoti të kthehemi pas. Do të jetë fatkeqësia më e madhe për kirurgjinë, personelin e sallave e kirurgët. Por më qesharake nga të gjitha ishte pretendimi se të sëmurët vdesin sepse vonohen kur hipin në ashensor. Por kur ka dhe mjekë që e thonë këtë mendo masa e gjerë dhe kryetari i opozitës që del bllof e i pakulturuar kur artikulon budallallëqe të tilla. Së pari salla e urgjencës është ende në katin e parë, aty ku ka qenë dhe së dyti në shumë vende të botës sallat janë në kate të larta. Është e turpshme dhe keqdashëse të akuzosh ashensorin si shkak vonese. Qesh e indinjuar se nuk qaj dot. Ju përshëndes thjesht si profesioniste që kërkon zhvillim”, tha Çeliku

Nga ana tjetër Gazment Bardhi ka reaguar duke thënë se mjekja e ka keqlexuar deklaratën e kreut të demokratëve. Bardhi i kërkon që mirënjohjen Qeverisë t’ia shpreh në një formë tjetër, jo duke deformuar deklaratat e zotit Basha.

REAGIMI I BARDHIT
Duhesh mirekuptuar qe keqleximi i deklaratave të Kryetarit te Opozites, të vjen për shkak se i lexon nepërmjet share-ve te ERTV! Por mqs paske kërkuar që të mos politizohet statusi yt, nuk po ndalem tek kjo pjesë! Aq më shumë që dua të besoj që sje as e majtë dhe as e djathtë! ?
Si shërbyese publike që je (se je mjekë në shërbim të qytetarëve) ke detyrimin moral të jesh e vërtetë kur komenton një deklaratë politike dhe aq më shumë kur përpiqesh të bësh politikë! Mirënjohjen Qeverisë shprehja në një formë tjetër, jo duke deformuar deklaratat e zotit Basha!!!
E mqs kërkon një pagë me të mirë në statusin tënd do ishte e udhës të shfaqje entuziazëm nga deklarata e zotit Basha për rritjen e pagave të mjekëve dhe të bëje atë share, dhe jo fjalimin e Edi Ramës në OKB për Ukrainën! Edhe këtu të mirëkuptoj, se nuk e ke problem të ardhurat nga paga, as ti dhe as yt shoq!
Por që të mos manipulohesh as nga ‘gazetat’ dhe as nga ERTV, më poshtë deklarata e zotit Basha, ku nuk flitet as për vdekje në ashensor dhe ku thuhet një e vërtetë që nga 12 salla aty ku ti punon, janë tashmë në punë vetëm 6.

“E kam dëgjuar edhe javën e kaluar nga mjekët e QSUT se në çfarë gjendje katastrofike ndodhet jo vetëm Pediatria, por e gjithë QSUT-ja. Nuk ka gjë që e përmbledh më mirë konceptin e fasadës sesa ajo që u bë në QSUT. Sapo u inaugurua Kirurgjia e re, nga 12 kemi 6 salla, nga 120 kemi 60 shtretër. Po ta shikosh nga kronikat televizive, po, fasada është e bukur, është e lyer bukur. Po të futesh brenda kemi gjysmën e kapacitetit që kishte e vjetra për t’u shërbyer pacientëve, për të mos u futur në detaje të tjera të tmerrshme që kam dëgjuar nga profesionistët sesi mënyra dhe koha e komunikimit nga një repart i urgjencës tek një repart tjetër është zgjatur në krahasim me çfarë ishte.
Pra, në qoftë se të duheshin një minutë apo dy minuta për të kaluar nga emergjenca në sallë operacioni, tani duhet të kalosh dy- tre ashensor. Pse?! Për hir të fasadës. Dhe kanë filluar vdekjet e atyre pacientëve, të cilëve mund t’u shpëtohet jeta, në qoftë se thelbi do të kishte prevaluar mbi fasadën. Jo, fasada në këtë rast, kontekstualisht, po vdes njerëz në QSUT. Do të vij shumë shpejt, edhe tek Pediatria, për të cilën për fat të keq kam marrë raportime, kam parë edhe raportime në media, kemi patur edhe njerëzit tanë në terren së fundmi për të parë sesa e tmerrshme është gjendja dhe për ta denoncuar atë. Dhe ju siguroj që do të jetë një nga prioritetet kryesore dhënia fund e kolapsit në shëndetësi”.

Ndjesë që ju ndërpreva nga dëgjimi i këndshëm i fjalimit të Edi Ramës në OKB!
Do ridegjohemi për së shpejti!

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb