Ish-Drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Erzen Breçani, i ftuar në studion e emisionit “Open” ka folur në lidhje me zhdukjen e dy 46-vjeçarëve në qytetin e Sarandës, të cilët dyshohet se janë rrëmbyer e më pas vrarë nga persona të paidentifikuar.

Ai e cilësoi këtë ngjarje si “mafioze” ndërsa shtoi se dy personat e zhdukur kanë pasur të shkuar të të errët sa i përket veprimtarisë kriminale.

Nga ana tjetër ish-prokurori Eugen Beçi, ka deklaruar se policia ka gjetur prova materiale që përfshijnë një automjet të vjedhur tip “Benz” që dyshohet se është përdorur në rrëmbimin e dy personave, ndërsa po ashtu është zbuluar një bazë ku ky mjet është tentuar të modifikohet duke u lyer për të humbur provat.

Ai shtoi se ky ambient ishte marrë me qira me dokumente false, ndërsa vijoi duke thënë se të gjitha këto tregojnë se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal.

Pjesë nga biseda:

Breçani:

Janë grupe që po aktivizohen në një moment kur fuqia e policisë zbehet. Për sa i përket dy personave, kanë pasur të shkuar të errët sa i përket veprimtarisë kriminale. Policisë i takon që këta persona t’i mbikëqyrë dhe të hedhë të dhëna për stilin e tyre të jetesës. Kjo ngjarje është mafioze. Zhdukja e dikujt pa gjurmë është mafioze. Sa më shumë të vonohet hetimi aq më shumë mundësi u jepet grupeve kriminale të fshehin provat.

Beçi:
Flitet për një rrëmbim personi, ndërsa me pasojë vdekje apo jo nuk është verifikuar ende. Duke iu referuar hetimeve paraprake theksohet se policia ka arritur të mbyllë zinxhirin e gjetjes së dinamikës së lëvizjes së këtyre dy personave të zhdukur. Fakti që policia ka gjetur një Benz të vjedhur me targa të vjedhura në Greqi. Kjo vërteton se kemi një ngjarje të mirë organizuar për rrëmbimin e tyre. Fakti që policia ka gjetur një bazë ku Benzi është tentuar të modifikohet për ta lyer dhe humbur gjurmët shtohet po ashtu. Autorët kanë treguar shumë kujdes për të realizuar këtë vepër kriminale. Gjetja e personave të vdekur apo jo do ndihmojë grupin hetimor. Duke arritur në këtë konkluzion, policia duhet të ketë në konsideratë veprimet në zonë për trafikimin e drogës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: