Ish-ambasadori Agim Nesho ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke shprehur kritika të forta ndaj qasjes së qeverisë.

I ftuar në programin e drekës në News24, Nesho deklaroi se situata aktuale reflekton një hendek të madh mes realitetit dhe narrativës politike që, sipas tij, prezantohet nga kryeministri Edi Rama.

Sipas ish-ambasadorit, çështje të brendshme politike, si ajo e përmendur për ish-zv/kryeministren Belinda Balluku, kanë ndikuar në perceptimin ndërkombëtar për Shqipërinë dhe kanë “precipituar” situatën e integrimit.

Ai u ndal edhe te qëndrimet e liderëve europianë, duke përmendur deklaratën e Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, i cili sipas Neshos ka paralajmëruar se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimi Evropian do të jetë e vështirë.

“Rama po shet një flluskë që nuk ka lidhje me realitetin në Bashkimin Evropian. Skenari A i integrimit duket se është lënë mënjanë dhe tani shpresohet për një lloj mrekullie gjeopolitike, që Shqipëria të futet në BE për arsye të unitetit gjeopolitik”, u shpreh Nesho.

Sipas tij, kjo qasje nuk është e qëndrueshme dhe nuk garanton një proces të mirëfilltë integrimi, i cili duhet të bazohet në përmbushjen e reformave dhe standardeve të kërkuara nga BE.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb