NGA OLA MITRE*

TIRANË- Operatorë të makinave qepëse’ dhe ‘opera torë telemarketingu’ janë dy zanatet që udhëheqin tregun e punësimit në Shqipëri, me rreth 4.000 punësime të reja në vit nga secili prej tyre”. Të dhënat i përkasin një raporti të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, rreth profileve më të kërkuara në tregun shqiptar të punës. Sipas të njëjtit raport, duke iu referuar tendencës të tregut, “Kamerierë”, “Baristë”, “Ndërtues” dhe “Shitës” janë, po ashtu, disa prej zanateve më të kërkuara nga punë-dhënësit.

Për këtë arsye, MMSR-ja ka rekomanduar që të shtohen kurset e formimit profesional në këtë drejtim, veçanërisht në rajonin jugor të vendit. Po ashtu, shihet i nevojshëm shtimi i kurseve në profilet: kuzhinierë, recepsionistë dhe roje të sigurisë, çka do të thotë se tregu i punës ka një nevojë të shtuar për këto zanate. Ndërkaq, ashtu sikurse është thënë edhe më herët, ekziston një kualifikim i pamjaftueshëm, veçanërisht për sektorët e Industrisë Nxjerrëse si dhe Energjisë Elektrike dhe Furnizimit me Gaz.

BIZNESET
Të ndara sipas sektorëve, raporti i MMSR-së vlerëson se: “Industria Përpunuese”, “Tregtia me shumicë dhe pakicë”, ndjekur nga “Ndërtimi”, “Akomodimi dhe Shërbimi Ushqimor dhe Turizmi”, janë punësuarit kryesorë të punës në Shqipëri. “Industria Përpunuese dhe Shërbime Administrative e Mbështetëse janë punësuesit më të mëdhenj midis bizneseve të mëdha. “Prodhimi i tekstileve, industria e veshjeve, industria e lëkurës dhe këpucëve veçohen si punësuesit kryesorë në këtë grup ndërmarrjesh. “Tregtia me Shumicë dhe me Pakicë” dominon punësimin e mikro-bizneseve”, thuhet ndër të tjera në raport.

FORMIMI
Mungesa e njohurive të mjaftueshme për një punë të caktuar raportohet si një problem nga kompani të caktuara. Për këtë arsye, sipas raportit të MMSR-së, pothuajse të gjitha kompanitë (94.4%) kanë ndërmarrë të paktën një veprim për adresimin e mungesës së njohurive të punonjësve nëpë-rmjet trajnimit. Në këtë kuadër është miratuar edhe programi i nxitjes së punësimit për trajnimin përmes punës, sipas të cilit, “çdo punëdhënës që trajnon të rinj nën moshën 30 vjeç, të cilët kanë përfunduar studimet ‘Bachelor’ apo ‘Master’ sipas fushës së diplomimit, do të mund të përfitojë nga shteti 22 mijë lekë në muaj përgjatë gjithë periudhës së trajnimit”.

Po ashtu, sipas vendimit, zyra përkatëse e punësimit do të financojë punëdhënësin në masën 10 000 lekë në muaj për trajnim, për çdo person, për një periudhë 3-mujore dhe me një financim mujor, në masën e sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore mbi pagën 25 000 lekë për 9 muaj, me kusht që kohëzgjatja e kontratës së punës të mos jetë më e shkurtër se 15 muaj. Një tjetër përftim për këta punëdhënës është edhe fakti se, për çdo punëkërkues të papunë të përfshirë sipas këtij programi, do të merren katër paga, në vlerën 25 000 lekë, në muajin e tretë e të katërt dhe në muajin e tetë dhe të nëntë të kontratës.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb