Molotovë, gaz lotsjellës, plumba gome, ndërtesa dhe automjete të përfshira nga flakët. Dita e pestë e protestës kundër qeverisë në Tiranë shënoi një prej përballjeve më të ashpra mes demonstruesve dhe policisë.

Rreth orës 11:00 të së shtunës (17.10.2026), studentët u mblodhën për të pestën ditë radhazi përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Për rreth një orë, protesta u zhvillua e qetë, me veprime kryesisht simbolike. U ngrit flamuri kombëtar. Një valixhe u dogj dhe u hodh në oborrin e ministrisë, si simbol i emigrimit.

Por qetësia nuk zgjati. Protestuesit qëlluan me gurë, pllaka trotuari dhe kokteje molotov drejt efektivëve të policisë, të cilët u përgjigjën me ujë me presion, gaz lotsjellës dhe plumba gome. Përplasjet u përhapën edhe në Rrugën e Durrësit. Gazi lotsjellës vështirësoi frymëmarrjen e protestuesve, ndërsa policia tentoi të ndalonte disa prej tyre.
Mes tensioneve, qytetarë të pranishëm iu drejtuan efektiveve, duke kundërshtuar mënyrën e ndërhyrjes së tyre. “Kjo që po bëni është terror shtetëror!” – tha një qytetar. “A ju del t’i paguani ilaçet? A keni prindër në shtëpi? A ju del t’i paguani ilaçet e prindërve, spitalet?” – iu drejtua efektivëve një qytetare tjetër.

Zjarre në institucione dhe dhjetëra të lënduar
Përplasjet, që vijuan për orë të tëra, u zhvendosën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Nga hedhja e koktejeve molotov u përfshinë nga flakët disa automjete, mes tyre edhe një autobot i policisë që përdoret për hedhjen e ujit me presion.

Në mbrëmje, policia arriti t’i largonte protestuesit nga sheshi, por tensionet vijuan në rrugë të tjera të kryeqytetit. Në operacion u përfshinë edhe forcat speciale RENEA.

Molotovët e hedhur nga protestuesit shkaktuan zjarr edhe në hyrje të ish-hotel “Dajtit”, ku ndodhen zyra të Bankës së Shqipërisë. Një tjetër zjarr përfshiu një biznes në katin e parë, ngjitur me godinën e Gjykatës së Lartë. Flakët u përhapën më pas edhe në disa zyra të gjykatës.
Përplasjet lanë pas edhe dhjetëra të lënduar. Sipas të dhënave të raportuara deri tani, 21 efektivë policie dhe 13 protestues kanë pësuar lëndime. Mes incidenteve të raportuara është edhe përfshirja nga flakët e një efektivi policie, ndërsa disa studentë janë goditur nga plumbat e gomës. Të lënduarit kanë marrë ndihmë mjekësore.

Kreu i PD, Sali Berisha bën thirrje për mosbindje civile
Ndërsa në rrugët e Tiranës vijonin tensionet, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje mbështetësve të opozitës dhe qytetarëve në të gjithë vendin të përfshihen në mosbindje civile në mbështetje të protestuesve.

“Mosbindja civile është ndihma më e çmuar për studentët luftëtarë, për studentët dhe gjimnazistët, heronj të vërtetë” – deklaroi Berisha.

Ai u kërkoi qytetarëve nga rrethet të udhëtojnë drejt Tiranës ditën e nesërme, duke e paraqitur mobilizimin si një hap të rëndësishëm të përballjes politike me qeverinë.

OKB bën thirrje për dialog
Në kushtet e përshkallëzimit të protestave, Organizata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri përsëriti apelin për dialog konstruktiv dhe uljen e tensioneve.

“Aktet e dhunës dhe shkatërrimi i pronës publike apo private janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në një shoqëri demokratike e paqësore”- thuhet në reagimin e OKB-së.

Organizata theksoi se e drejta për tubim paqësor dhe liria e shtypit duhet të mbrohen, ndërsa ndërhyrjet e policisë duhet të respektojnë parimin e proporcionalitetit dhe garancitë për një proces të rregullt ligjor./DW

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb