TIRANE – Lidhur me situatën për ushtrimin ose jo të veprimtarisë së gjuetisë pas mbarimit të efekteve të Moratoriumit 2-vjeçar të gjuetisë, Ministria e Mjedisit sqaron mediat dhe opinion publik, se sezoni i gjuetisë do të vazhdojë të jetë i mbyllur deri më 1 tetor 2016.

Nëpërmjet ligjit nr. 7/2014 “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”, të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë më 30 Janar të vitit 2014 u ndalua ushtrimi i gjuetisë në të gjithë territorin e vendit për një periudhë 2 vjeçare nga data e hyrjes në fuqi të ligjit. Ky ligj u botua në Fletoren Zyrtare nr. 20 datë 28 shkurt 2014, hyri në fuqi pas dy javësh nga botimi i tij dhe i mbaroi efektet e tij më 15 Mars 2016.

Pas kësaj date, pra më 16 Mars 2016 e në vijim për një periudhë disa mujore, ushtrimi i gjuetisë nuk mund të realizohet pasi nuk jemi në periudhën e sezonit të gjuetisë, referuar kjo ligjit nr.10253, datë 11.3.2010 “Për gjuetinë” dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) përkatëse nr.553, datë 7.7.2010 “Për përcaktimin e sezonit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”.

Në VKM –në e sipërcituar “Për përcaktimin e sezonit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”, në pikën 1 të tij, thuhet: “Sezoni i gjuetisë, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, hapet më 1 tetor dhe mbyllet më 15 shkurt. Vetëm për llojet shkurtë (Coturnix coturnix) dhe turtull (Streptopelia turtur), sezoni hapet më 15 gusht, ndërsa për llojin rosë marsatore (Anas querquedula), sezoni mbyllet më 15 mars.”

Pra, mbështetur mbi këtë VKM, gjuetia mund të fillojë të ushtrohet vetëm për dy llojet e përcaktuar më lart më 15 gusht, ndërkohë që ushtrimi i gjuetisë për të gjithë llojet e lejuara për gjueti, hapet më 1 tetor, kuadër ligjor që shoqatat e gjuetarëve e njohin në detaje.

Ndërkohë paralelisht, Ministria e Mjedisit ka përgatitur draft-ligjin për vijimin e moratoriumit të gjuetisë edhe për një periudhë tjetër disa vjeçare, i shoqëruar me konsulta dhe dëgjesa publike, draft i cili parashikohet të miratohet përpara fillimit të sezonit të gjuetisë së këtij viti.

FEDERATA KOMBËTARE PËR GJUETI: ZGJATJA E MORATORIUMIT, DËSHTIM TOTAL I SHTETIT
Federata Kombëtare për Gjueti dhe Konservim kundërshton me forcë zgjatjen e Moratoriumit të gjuetisë. Me anë të një reagimi për mediat, Federata ka pohuar se zgjatja e moratoriumit është dështim total për zbatimin e ligjeve.

“Të zgjatesh më tej moratoriumin do të thotë dështim total i shtetit për zbatueshmërinë e ligjeve të veta. Gjithë gjuetarët profesionist Shqiptare i bënë thirrje Ministrisë së Mjedisit të lërë arrogancën dhe të mos vrasë pasionin e gjuetarit. Zhvillimi i faunës së egër dhe gjuetia kërkojnë investime të fuqishme dhe menaxhim bashkëkohor të gjuetisë. Do të përdorim të gjitha mjetet demokratike që gjuetia të mos shtyhet deri në gjykatën kushtetuese dhe atë të drejtave të njeriut.”, citohet në reagimin e Federatës Kombëtare të gjuetisë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: