TIRANE- Ministri i Mjedisit, Lefter Koka deklaroi se janë kryer 7200 inspektime për prerjen e paligjshme të pyjeve, ndërsa janë vendosur 700 milionë lekë gjoba. Gjatë prezantimit sot në komisionin e Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, projektligjin “Për administrimin e Fondit Pyjor dhe Kullosor Kombëtar në Republikën e Shqipërisë”, Koka pohoi se
ky projektligj i hap rrugën një prej reformave më jetike në fushën e pyjeve dhe kullotave për vendin tonë. Ministri Koka vlerësoi se, për herë të parë projektligji përcakton vendosjen e një moratoriumi 10 -vjeçar për mbrojtjen e pyjeve. “Jemi fajtorë për shkatërrim e pyjeve në këto 25 vite. Ndaj moratoriumi, do të shoqërohet me investime dhe masa konkrete” -tha ministri Koka.

Kreu i Mjedisit deklaroi se janë kryer 7200 inspektime për prerjen e paligjshme të pyjeve, ndërsa janë vendosur 700 milionë lekë gjoba dhe janë sekuestruar 6200 metra kub lëndë drusore. “Në një vit kemi dhënë 24 leje për shfrytëzim pyjesh”, theksoi ministri ndërsa informoi se, më parë çdo ditë jepeshin 3 leje në ditë për shfrytëzim pyjesh, ç’ka solli shfrytëzim pa kriter të këtij fondi, pasuri kombëtare për vendin. “Moratoriumi për pyjet, jemi në moment historik”, tha ministri. Projektligji i ri i hartuar nga Ministria e Mjedisit është rezultat i një konsultimi të gjatë me specialistë të fushës, me njësitë e qeverisjes vendore, me përfaqësues të botës akademike, partnerët tanë ndërkombëtarë dhe aktorë të ndryshëm në fushën e mjedisit, pasi për herë të parë, me këtë projektligj do të zgjidhet ngërçi i krijuar nga kalimi i pjesshëm dhe problematik i fondit pyjor dhe kullosor pranë bashkive.

Projektligji parashtron riorganizimin e qeverisjen e fondit pyjor dhe kullosor kombëtar, duke ngarkuar Ministrinë me funksion politikbërës. Funksionet menaxhuese të fondit pyjor dhe kullosor kombëtar, i ngarkohet bashkive, ndërsa funksionet kontrolluese mbeten atribut i Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve.

Ministri Koka vlerësoi faktin se për herë të parë me këtë projektligj do të ndalohet kategorikisht eksporti dhe tregtimi i lëndës drusore në masën 100% . Kjo masë vjen pas një sërë masash të ndërmarra të cilat dhanë efektin e tyre, si ndalimi i eksportit të qymyrit të drurit dhe lëndës së papërpunuar.
Ministri Koka gjatë fjalës së tij bëri të ditur se, ministria e Mjedisit në bashkëpunim me bashkitë do të garantojnë furnizimin e pandërprerë me dru zjarri për nevojat për ngrohje të popullatës. “Ndërsa kjo reformë madhore në sektorin e pyjeve do të garantojë zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve në funksion të rritjes së cilësisë së jetës dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptarë, në interes të shoqërisë së sotme dhe të nesërme”, deklaroi ministri Koka.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: