Fitorja në derbi i dhuroi Partizanit një bonus më shumë në garë për titull, në një kohë kur thelluan diferencën me Tiranën, rivali i tyre më i madh këtë sezon. Suksesin përballë bardhebluve i jep më shumë besim “demave” për pjesën e mbetur të sezonit. Protagonistët kryesorë të Partizanit, në një intervistë për Sport News, për gazetaren Trevisa Tufa, folën për ecurinë e të kuqeve dhe pritshmëritë për të ardhmen.
Eneo Bitri, kapiteni i Partizanit theksoi se suksesi në derbi ishte ndjesia më e bukur që ka përjetuar, duke marrë hak ndaj Tiranës. Bitri nuk preferoi të flas për titull, por shprehet i bindur se ky ekip mund të thyej çdo tabu.
“U ndjeva shumë mirë që më dhanë shiritin e kapitenit, nuk e kisha menduar por erdhi dita dhe do të bëj maksimumin për ta merituar. Është merita e trajnerit Kolela që ne jemi këtu, dhe mund të bëjmë shumë gjëra të mira bashkë. Ndeshja e fundit ishte më e bukura, ajo kundër Tiranës. Egantia na ka hapur shumë probleme si në ndeshjen e parë që e fituam 2-1 në minutat e fundit si dhe ndeshjen tjetër që humbëm edhe pse nuk e merituam, por futbolli i ka këto. Ky vit është ai i tabuve të Partizanit, jemi të lumtur që fituam në derbi pas 3 vitesh në “Air Albania”. Kampionati është ende i gjatë dhe duhet të presim për tu shpallur kampionë”, u shpreh Eneo Bitri.
Më të bindur te suksesi i të kuqeve u shfaq dyshja Murataj-Rrapaj, ndërsa Tedi Cara foli për objektivat e tij këtë sezon, efektin që pata ftesa e Kombëtares dhe rivalitetin me Xhuljano Skukën.
“Në një ekip çdo gjë ka rëndësinë e vet, sigurisht Kolela është timonieri i skuadrës ai ka meritat e veta, por edhe ne gjithashtu, është punë në ekip. Djemtë që kanë luajtur me Trashin më kanë thënë që ngjaj edhe në gjeste por edhe në fytyrë, ai ka qenë një ndër më të mirët që ka luajtur në kampionatin shqiptar, por që tani luan jashtë trojeve, gjë e mirë që të jem edhe unë si ai. Ne luajmë si grup, jo individualisht dhe duhet të bashkëpunojmë me të gjithë, por Arin e kam më afër dhe flasim më shumë. Me të gjithë djemtë shkojmë shumë mirë. Ne zihemi pak më Rrapajn por më mirë të zihesh në lojë që të fitojmë më pas. Ne jemi ekip që prodhojmë raste, këtë vit kemi filozofi tjetër, të mbrojmë të gjithë dhe të shënojmë të gjithë”, tha Murataj.
“Mendoj se është punë e të gjithëvë, trajneri Kolela na ka mbështetur për të dhënë më të mirën dhe maksimumin tonë dhe këto i kemi shfaqur në fushën e lojës në arritjet që kemi bërë deri tani dhe besoj na jep fuqinë për të vazhduar më tej. Për mua Kombëtarja është arritje, çdo futbollist e ka ëndërr ashtu si edhe unë që luaj me fanellën kuqezi. Tek vetja do të ndryshoja agresivitetin, jam pak shpërthyes dhe me nerva dhe do të doja ti ulja pak sepse krijon probleme dhe nuk i jap më të mirën ekipit me këtë gjë. Duhet të punoj dhe pak në fazën mbrojtëse për të ndihmuar më shumë ekipin. Më mirë në ekip kuptohem me Muratajn. Keqkuptime kemi në lojë, por i diskutojmë më pas dhe nuk kemi hadërmbetje. Nuk është se e ka fajin sulmi nëse nuk shënon apo e ka fajin mbrojtja nëse pësojmë, ne veprojmë të gjithë si ekip”, tha Rrapaj.
