DURRES- Detaje të reja janë publikuar pas grabitjes së një argjendarie në bulevardin kryesor të qytetit të Durrësit. Shitësja e dyqanit, e cila ndodhej e vetme në momentin e ngjarjes, ka treguar edhe mënyrën sesi dy grabitësit janë futur në argjendari.

Ajo rrëfen se dy të rinj të moshës 20-25 vjeçare u futën në argjendari, dhe në momentin e parë ka krijuar përshtypjen se ishin klientë, por më pas ata e kanë kërcënuar.

“Mendova se ishin blerës. Në dyqan hynë dy të rinj të moshës 20-25 vjeçare, ishin veshur normalisht të pamaskuar. Njëri erdhi me kërcënoi, më vuri elektroshokun në qafë dhe më tha na jep paratë dhe mallin. U tremba dhe i thashë ‘mos më vrisni se kam fëmijë’. Më pas nuk mbaj mend asgjë, pasi rashë në tokë pa ndjenja. Nuk munda t’i ndaloj, se isha e vetme”, rrëfen shitësja e argjendarisë.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj raporton për “BalkanWeb” se kamerat e sigurisë në argjendari nuk ishin funksionale, dhe grabitësit kanë hyrë pa maska. Ata kanë marrë rreth 2 kilogramë flori në formë bizhuterish.

Sakaq në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilët kanë gjetur në vendngjarje gjurmët e gishtave të dy grabitësve.

Uniformat blu kanë sekuestruar edhe pamjet filmike të dyqaneve në të tjera në bulevard.

Ndërkaq, janë shoqëruar në policinë e Durrësit disa persona me precedent penal të mëparshëm, për t’u marrë në pyetje nëse kanë informacion për autorët.

I njëjti dyqan është grabitur edhe pesë vite më parë, dhe në atë kohë, policia ka kapur autorët dhe ka gjetur mallin e grabitur.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb