Dy aktivistët Dritan Goxhaj dhe Edison Lika u shoqëruan me forcë nga policia mbrëmjen e kësaj të mërkure, pasi refuzuan gjobat për tubim të paligjshëm, por rezulton se ata kishin dorëzuar më herët në polici një shkresë për zhvillimin e protestës përpara Kryeministrisë. Pas disa orësh tensione dhe protestash për lirimin e tyre, të dy aktivistët u lanë të lirë.

Dokumenti i siguruar nga gazetari Renaldo Salianji për BalkanWeb tregon se organizatorët kishin njoftuar autoritetet për protestën e përditshme, duke përcaktuar orarin, itinerarin dhe qëllimin e tubimit. Madje, shkresa ishte dorëzuar nga vetë Goxhaj dhe Lika, të cilët ua treguan efektivëve edhe gjatë përplasjes përpara Kryeministrisë.

 

  • foto galeri
  • foto galeri

Megjithatë, policia vendosi t’i gjobiste me argumentin se po zhvillonin një tubim të paligjshëm. Refuzimi i dy aktivistëve për të pranuar gjobat u pasua nga ndërhyrja e efektivëve dhe shoqërimi i tyre me forcë.

Në shkresën e dorëzuar në polici, organizatorët theksonin se protesta zhvillohej në mënyrë paqësore dhe se kërkesa kryesore ishte dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e të gjithë qeverisë.

“Në vijim dhe në shërbim të protestës që po mbahet prej 98 ditësh në qytetin e Tiranës, konkretisht nga Sheshi ‘Skënderbej’ drejt objektit të Kryeministrisë. Protestë e cila kërkesë kryesore ka dorëheqjen e kryeministrit dhe të gjithë qeverisë dhe po zhvillohet në mënyrë paqësore”, thuhet në dokument.

Një tjetër element i rëndësishëm është fakti se aktivistët i kishin kërkuar policisë bashkëpunim për garantimin e sigurisë gjatë tubimeve, duke iu referuar nenit 47 të Kushtetutës dhe ligjit për tubimet.

“Duke kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin me organet kompetente, të cilat kanë detyrë sigurimin e mbarëvajtjes së çdo proteste të lajmëruar paraprakisht në respekt të nenit 47 të Kushtetutës dhe të ligjit për tubimet, do të donim që edhe në këtë rast të siguronit mbarëvajtjen e kësaj proteste paqësore”, theksohet në dokument.

Madje, organizatorët kishin ngritur shqetësime edhe për ndërhyrjet e mëparshme të policisë, duke pretenduar se ndaj protestuesve ishte ushtruar dhunë joproporcionale dhe ishin kryer arrestime të paligjshme.

“Duke u nisur dhe nga rasti i fundit te Kryeministria, rast në të cilin është përdorur dhunë joproporcionale dhe janë kryer arrestime të jashtëligjshme, kërkojmë nga ana juaj të ngriheni në lartësinë e detyrës dhe të vendimeve të gjykatës, në mënyrë që këto protesta t’i shërbejnë demokracisë, Kushtetutës dhe Republikës”, thuhet më tej.

 

 

 

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb