Aktivisti Arben Kola u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në protestë që të shmangin çdo akt ndaj gazetarëve dhe operatorëve të mediave.
Në fjalën e tij, Kola u kërkoi qytetarëve të respektojnë punonjësit e medias dhe të shprehin pakënaqësitë e tyre në mënyrë paqësore.
“Pa rini nuk ka Shqipëri! Kam një thirrje për qytetarët. Për mediat që nuk i doni, mos sulmoni gazetarët dhe kameramanët. Mos i ngatërroni punonjësit e mediave me analistët e studiove,” tha ai.
Sipas Kolës, nëse protestuesit kanë kundërshtime ndaj një media të caktuar, duhet t’i shprehin ato përmes bojkotit ose mesazheve në pankarta dhe jo duke penguar gazetarët në kryerjen e detyrës.
“Kur nuk ju pëlqen një media, bëni një pankartë dhe mbajeni. Jo të sulmojmë ata që po bëjnë punën. Pavarësisht se si transmetohet lajmi, edhe në kohë lufte gazetarët nuk preken. Ju e dini shumë mirë që mbrohen edhe nga ligjet ndërkombëtare,” u shpreh ai.
Në përfundim, aktivisti kërkoi mirëkuptimin e protestuesve, duke theksuar se respektimi i punonjësve të medias është pjesë e parimeve demokratike.
“Kush nuk pëlqen media të caktuara, le të bëjë pankarta. Kjo është demokracia,” përfundoi Kola.
