PUKE- Fundjava ka nisur me përkeqësim të motit në mbarë vendin. Reshjet e dëborës kanë rinisur dendur në zonat malore, si në Pukë, Kukës dhe në zonën e Korçës. Policia apelon për përdorim të zinxhirëve dhe kontroll të shpejtësisë për shkak të rrezikut të pranishëm.

Në pjesën tjetër të vendit problematika rritet nga reshjet intensive të shiut, që kanë vënë prapë në panik zonat që janë përmbytur më parë. Problematike paraqitet situata në Rrugën e Kombit, pasi në afërsi të fshatit Skuraj ka pasur rrëshqitje dherash. Bëhet e ditur se rreth 20 kamionë të ushtrisë janë në Rrugën e Kombit, ndërsa po ndërhyhet për të mos lejuar shembjen e këtij aksi.

Sinoptikanët paralajmërojnë një ditë të dominuar nga moti i keq sot gjatë gjithë kohës.

Raportimet e fundit flasin për situatë problematike në Krujë, pas daljes nga shtrati të lumit Ishëm. Banorët e Krujës thonë se rreth 200 ha tokë janë të përmbytura në fshatin

Në rrethin e Lezhës problematike shfaqet zona e Zadrimës. Por, edhe në Laç, situata shkaktuar nga reshjet është e përkeqësuar.

30 CM DEBORE NË DISA AKSE RRUGORE, POLICIA: JA KU KALOHET VETËM ME ZINXHIRË
Policia njofton të gjithë drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes në disa akse ku ka reshje bore dhe trashësia ka shkuar deri në 30 cm.

Sipas policisë, në rrugët e listuara më poshtë është i detyrueshëm përdorimi i zinxhirëve.
Librazhd – Pogradec në Qafë-Thanë
Pogradec-Korçë në Qafë Plloç
Korçë-Ersekë në Qafën e Qarrit
Vlorë – Himarë në Qafë  Llogora
Aksi rrugor Milot – Mirditë
Aksi rrugor Kukës-Morinë
Aksi rrugor Mat-Bulqize,

Policia Rrugore është e pranishme me patrulla për të ndihmuar drejtuesit e mjeteve së bashku me shërbimin e emergjencave dhe entin pronar të rrugës.

Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, Policia Rrugore u bën thirrje gjithë drejtuesve të mjeteve:

– Të bëjnë kujdes me shpejtësinë gjatë lëvizjes
– Të shtojnë kujdesin gjatë drejtimit të automjetit
– Të mos përdorin pije alkoolike.

Për çdo problem që mund të hasin në këto akse rrugore por dhe në të gjitha akset e tjera rrugore të marrin kontakt me patrullat e policisë rrugore si dhe të telefonojnë në numrin e telefonit 129 pa pagesë duke dhënë adresën e saktë.

DEFEKT NË NËNSTACIONIN E REXHEPAJVE, KUKËSI PA ENERGJI, NË QYTET DËBORA 30 CM
Një defekt në nënstacionin e Rexhepajve ka lënë pa energji elektrike një pjesë të qytetit të Kukësit.
Grupe të OST-së po punojnë për riparimin e defektit, ndërkohë që disa lagje të qytetit qëndrojnë në errësirë prej disa orësh.

Gjatë orëve të mbrëmjes, moti është përkeqësuar ndjeshëm edhe në Kukës, ku trashësia e dëborës ka arritur deri në 30 cm në qytet dhe rreth 50 cm në fshatra.

Mësohet se rruga Kalimash-Kukës-Morinë është e kalueshme vetëm me zinxhirë, ndërsa 9 borëpastruese ndodhen në terren për të mundësuar qarkullimin e automjeteve.

MINISTRI HAXHINASTO INSPEKTON RRUGËN E KOMBIT
Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto inspektoi rrugën e Kombit, i shoqëruar nga prefekti i Lezhës, Altin Jaku. Ministri Haxhinasto ishte në fshatin Skuraj, ku më herët pati rrëshqitje dherash.  Ndërkohë, rreth 20 kamionë të ushtrisë po vijojnë punën në Rrugën e Kombit, për normalizimin e situatës.

RESHJE TË DENDURA DËBORE NË PËRRENJAS DHE LIBRAZHD
Reshjet e dëborës kanë mbuluar në mbrëmje Përrenjasin dhe Librazhdin. Në fshatrat e Librazhdit trashësia e dëborës arrin deri në 15 cm. Ndërkohë në aksin rrugor Librazhd-Qafë Thanë automjetet qarkullojnë me vështirësi për shkak të dëborës së dendur.

QAFA E LLOGARASË MBULOHET NGA DËBORA, PROBLEME ME QARKULLIMIN
Reshjet e dëborës kanë vështirësuar qarkullimin e automjeteve në Qafën e Llogarasë. Mësohet se katër automjete janë përplasur gjatë orëve të pasdites, me bordurën anësore të rrugës, fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar.  Ndërkohë autoritetet kanë nisur punën për pastrimin e rrugës nga dëbora, në mënyrë që të mundësohet qarkullimi i automjeteve.

EMERGJENCAT CIVILE: TË GJITHA AKSET KOMBËTARE DHE RURALE JANË TË HAPURA
Emergjencat Civile informojnë në lidhje me situatën dhe masat e marra deri në ora 17:00‏. Emergjencat Civile bëjnë të ditur se të gjitha akset kombëtare dhe rurale janë të hapura, ndërsa subjektet kontraktore janë në gatishmëri dhe kanë të gjitha mjetet dhe forcat gjatë segmenteve problematike.

Gjatë orëve të mbi vendin tonë ka mbizotëruar mot me vranësira mesatare, reshje shiu, të cilat në zonën qendrore janë mbi mesataren, kurse në zonën veriore vazhdon rënia e dëborës, por jo me intensitet të lartë.

Qarku Kukës. Dëbora që ka nisur në orët e para të mëngjesit të sotëm vazhdon të bjerë me intensitet të ulët. Lartësia e dëborës në qarkun e Kukësit në qytete është: Kukës 7 cm, Tropojë 10 cm dhe Krumë 8 cm.

Të gjitha akset kombëtare dhe rurale janë të hapura. Subjektet kontraktore janë në gatishmëri dhe kanë të gjitha mjetet dhe forcat gjatë segmenteve problematike.

Në Rrugën e Kombit qarkullimi i mjeteve bëhet pa probleme dhe reshjet e pakta të dëborës nuk kanë sjellë pengesa. Në këtë aks punojnë 9 mjete borëpastruse për mirëmbajtjen e rrugës.

Qarku Dibër. Gjatë orëve në vazhdim edhe në këtë qark ka patur reshje të dobëta shiu dhe në lartësitë e mëdha reshjet janë në formë dëbore por jo intensive.

Lartësia e dëborës sipas njësive administrative është: Njësia administrative Kala e Dodes 15 cm, aksi rrugor i kalueshëm. Njësia administrative Lurë rreth 20 cm, aksi rrugor Lurë-Rëshen për momentin i kalueshëm.

Njësia Administrative Selishte 10, aksi rrugor Muhurr- Selisht i kalueshëm.

Njësia administrative Arras ka patur rrëshqitje dheu në fshatin Grikë Noke, po punohet nga Njësia administrative për hapjen e rrugës. Njësia administrative Ostren 10 cm, Njësia administrative Trebisht 10 cm, aksi rrugor Ura e Cerenecit- Stëbleve i kalueshëm.

Mungon energjia elektrike në Njësinë administrative Shupenzë.

Akset rrugore nacionale janë të kalueshme dhe subjekte kontraktore janë në gatishmëri të plotë për pastrimin e rrugëve.

Qarku Elbasan. Gjatë orëve në vijim ka patur reshje mesatare shiu dhe në lartësinë mbi 600 m reshjet kanë qenë në formë dëbore.

Në këtë qark ka prezencë të dëborës si në Qafë Thanë 15 cm dhe në Stëblevë, Librazhd 15 cm.

Nuk raportohen bllokime rrugësh, por në segmentin rrugor Librazhd – Prenjas ka vështirësi në qarkullim për shkak të rënies së inerteve. Subjekti kontraktues ka mjete të gatshme që ndërhyjnë duke larguar dhe pastruar rrugën.

Për shkak të rënies së reshjeve ka rritje të nivelit të ujit në lumen Devoll, por nuk ka probleme për daljen e tij nga shtrati.

Qarku Shkodër. Në rrethin e Shkodrës ka reshje mesatare shiu, kurse në rrethin e Pukës dhe Malësisë së Madhe reshjet janë të pakta, por për shkak të uljes së madhe të temperaturës shiu është në formë akulli.

Në rrugët kombëtare të rrethit të Pukës, si Qafë Mali- Qafë Shllak- Fierzë, Fushë Arzë- Iballë ka vështirësi kalimi për shkak të ngricave, por rrugët janë të hapura.

Qarku Korçë. Në të gjithë qarkun ka reshje shiu, kurse në zonat malore reshjet janë në formë dëbore. Në Qafë Plloçë, Qafë Qarri dhe Qafë Bigllë të fshatit turistik Dardhë ka prezencë të dëborës dhe vazhdojnë reshjet me intesitet mesatar. Nuk ka bllokime të rrugëve por në disa segmente rrugore qarkullimi bëhet me zinxhirë.

Qarku Berat. Në këtë qark bien reshje intensive shiu, kryesisht në rrethin e Beratit dhe të Skraparit. Në zonat malore të Skraparit bien reshje intensive dëbore.

Ujerat e lumenjve në këtë qark kanë filluar të rrisin prurjet e tyre. Rritje të theksuar ka pasur lumi i Osumit i cili po afrohet në nivelet kritike.

Prefekti së bashku me një grup punonjësish nga institucioni i tij po inspektojë përgjatë brigjeve të këtij lumi.

Qarku Tiranë. Në të gjithë qarkun e Tiranës ka pasur reshje mesatare shiu.

Ujrëat e lumit të Tiranës janë rritur, por nuk kanë shkaktuar probleme përmbytjesh në banesa apo toka bujqësore.

Gjendja e lumit të Tiranës në pjesën e poshtme të urës së Kamzës, nuk ka rritje të nivelit të prurjeve.

Përfaqësuesit e emergjencave të bashkisë po monitorojnë situatën dhe janë në gatishmëri për evakuimin e familjeve, në qoftë se do të rrezikohen nga përmbytja. Për familjet është përgatitur një strehim provizor në konviktet e Universitetit Bujqësor.

Forcat dhe mjetet e bashkisë së Tiranës janë në gadishmëri për të bërë evakuimin e tyre.

Qarku Lezhë. Në qarkun e Lezhës vazhdojnë reshjet e shiut me intesitet mesatar. Të gjithë hidrovoret janë në punë dhe po punojnë me kapacitet të plotë.

Në rrugën e Kombit, në fshatin Skuraj, të Njësisë Administrative Milot po punojnë 7 mjete transporti kamionë vetëshkarkues të Ushtrisë dhe 3 fadroma të subjektit kontraktues, për riparimin e argjinaturës së dëmtuar nga prurjet e lumit Mat për shkak të rritjes së shkarkimeve në Hidrocentralin e Shkopetit dhe Ulzës.

Në vendngjarje po monitoron punimet Shemsi Prençi, Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile dhe Prefekti i qarkut të Lezhës.

Me ndërhyrjen e DPEC pranë Drejtorit të H/C të Shkopetit dhe Ulzës shkarkimet e tyre janë ulur.

Qarku Gjirokastër. Në të gjithë qarkun ka reshje mesatare shiu.

Të gjitha rrugët kombëtare dhe rurale janë të qarkullueshme dhe pa probleme.

Lumi i Vjosës ka filluar të rrite prurjet e veta sidomos nga pjesa që vjen prej burimeve në tokën greke. Deri në këto momente nuk ka arritur nivele kritike dhe nuk përbën shqetësim për përmbytje të tokave bujqësore apo banesave.

[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2016/01/DT.16.01.16-ora-17.48-Informacion-mbi-gjendjen-e-akseve-rrugore1.doc” viewer=”microsoft”]

RRËSHQITJE DHERASH NË RRUGËN E KOMBIT, NDËRHYJNË 20 KAMIONË TË USHTRISË
Probleme në Rrugën e Kombit për shkak të reshjeve, përkatësisht pranë fshatit Skuraj. Mësohet se ka pasur rrëshqitje dherash për shkak të shkarkimeve nga HEC-et e Ulzës dhe Shkopetit. Bëhet e ditur se rreth 20 kamionë të ushtrisë janë në Rrugën e Kombit, ndërsa po ndërhyhet për të mos lejuar shembjen e këtij aksi. Sipas të dhënave, kamionët po shkarkojnë gurë në pjesën e dëmtuar.

NIS REDUKTIMI I SHKARKIMEVE NGA HEC-ET E ULZËS DHE SHKOPETIT
Si pasojë e reshjeve të shiut do të nis dhe reduktimi i shkarkimit të HEC-eve të Ulzës dhe Shkopetit. Mësohet se reduktimi do të nis të reduktohet rreth orës 16:00 në 300m3/kub për sekondë. Sakaq, ky lajm është konfirmuar nga drejtori i Hidrocentralit, Nexhat Malici. Mbrëmjen e djeshme nisi shkarkimi i këtyre dy hidrocentraleve, të cilat sipas prefektit të Lezhës nuk do të shkaktonin përmbytje në këtë zonë.

RESHJET E BORËS, PROBLEME ME QARKULLIMIN NË AKSIN KORÇË-POGRADEC
Reshjet e borës në juglindje të vendit kanë shkaktuar probleme me qarkullimin në aksin Korçë-Pogradec. Mësohet se probleme të mëdha ka në Qafë Plloçë dhe Pogradec-Qafë Thanë.

RËNIE GURËSH TEK “KTHESA E MURRASHIT” NË ELBASAN-LIBRAZHD, RRËSHQITJE NË XIBRAKË-JANË
Sërish probleme në aksin rrugor Elbasan-Librazhd. Mësohet se vendin e quajtur “Kthesa e murrashit” ka rënie gurësh, ndërsa në aksin Xibrakë-Janë ka rrëshqitje nga shpati i kodrës.

PUKË, RINISIN RESHJET E DËBORËS, POLICIA: MOS LËVIZNI PA ZINXHIRË
Moti i keq ka përfshirë gjithë vendin me reshje të dendura shiu dhe dëbore në zonat malore. Puka, Kukësi, Tropoja janë përfshirë mëngjesin e kësaj të shtune nga reshjet e borës, ndërsa në zonat e ulëta vijojnë prej ditës së djeshme reshjet e shiut. Nisur nga situata, policia këshillon drejtuesit e mjeteve që të mos lëvizin pa vendosjen e zinxhirëve.

Ndërsa nga ana e tyre, drejtuesit vendorë në Punë u kanë kërkuan kompanitë të kontraktuara që të pastrojnë rrugët, në mënyrë që të mundësohet qarkullim normal i mjeteve.

Edhe në zonën e Dardhës së Rrethit të Korcës bora ka arritur në 8 centimetra, por sipas policisë është punuar për pastrimin e rrugëve. Orët e para të mëngjesit në rrethin e Kuksit janë shoqëruar me reshje bore dhe erëra të forta,temperatuarat në këtë qytet po zbresin në minus 1 gradë, ndërsa trashësia e dëborës në lartësinë 500 metra e cila varion nga 10 deri në 20 centimetra.

Gjithashtu edhe në Tropojë ndonëse reshjet e borës kanë nisur nuk ka probleme.

LUMI ISHËM DEL NGA SHTRATI, BANORËT E KRUJËS: JANË PËRMBYTUR TË PAKTËN 200 HEKTARË
Me rinisjen e reshjeve të shiut, janë rikthyer edhe përmbytjet në Krujë. Lumi Ishëm ka dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje të mëdha në Murqin dhe Mallkuc. Banorët shprehen të shqetësuar nga situata e krijuar, duke treguar se janë përmbytur të paktën 200 hektarë tokë.

Ndërkaq, sinoptikanët theksojnë se moti do të jetë me reshje në mbarë vendin gjatë gjithë ditës.

Parashikohet që reshje bore të ketë në zonat mbi 200 metra mbi nivelin e deti, ndërsa temperaturat në bregdet do të arrijnë deri në 10 gradë C.

RRËSHQITJE GURËSH NË AKSIN KUKËS-SHISHTAVEC, BLLOKOHET RRUGA
Moti i keq ka përfshirë gjithë vendin me reshje të dendura shiu dhe dëbore në zonat malore. Një nga qarqet problematike është Kukësi, ku trashësia e dëborës ka shkuar në 10 cm në tunelin e Kalimashit. Mësohet se në aksin në Kukës-Shishtavec ka shkarje gurësh në fshatin Nimçe, ndërsa rruga momentalisht është e bllokuar.

PREFEKTI I QARKUT LEZHË ALTIN JAKU: PRANË FSHATIT SKURAJ KA SHEMBJE DHERASH
Ndërkohë, problematike paraqitet situata edhe në Lezhë. Sipas prefektit të këtij qarku, Altin Jaku mësohet se pranë fshatit Skuraj ka shembje të dherave si pasojë e shkarkimeve të HEC-eve të Ulzës dhe Shkopetit. Nga ana tjetër banorët e Zadrimës bënë me dije se ka prezencë të ujit në disa hektarë toke.

SINOPTIKANËT: SOT DO TË JETË MOT ME RESHJE GJATË GJITHË DITËS
Gjatë ditës së sotme moti mbi vendin tone do te karakterizohet me reshje shiu me intensitet të lartë që prej orëve të para të ditës dhe gjatë gjithë ditës. Do të ketë prani shtrëngatash dhe stuhi të shoqëruara me shkarkesa elektrike si dhe stuhi dëbore në Verilindje të vendit. Reshjet e dëborës gradualisht do të zbresin lokalisht deri në zonat e ulta në lartësitë 200m. Shikimi i reduktuar për shkak të reshjeve 100m-7km. Era do te jete me drejtim Juglindje dhe Verilindje me shpejtësi 2-15m/sek. Valëzimi i forcës 4-5 më me lartësi vale 3.0-4.5.
Temperaturat parashikohen:
Vendet malore -1/4
Vendet e ulta 5/7
Vendet bregdetare 8/10

(el.sp/ed.me/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: