Mark Markez mbërrin në Indonezi me objektivin për të lënë pas rezultatet negative në pistën e Mandalikës dhe për të qëndruar në luftën për titullin në MotoGP. Piloti i Dukatit, i cili u prit me entuziazëm të madh nga tifozët, u shfaq ambicioz në prag të fundjavës së garës. “Preferoj të mos mendoj për të kaluarën. Këtë vit duhet të jetë ndryshe”, deklaroi Markez, duke pranuar se Mandalika nuk ka qenë një pistë e favorshme për të.

Spanjolli theksoi se objektivi është të marrë sa më shumë pikë, pa menduar ende për një strategji mbrojtëse. Markez e sheh luftën për titullin si një betejë mes tre pilotësh dhe beson se shpejtësia do të jetë faktori vendimtar. “Në një kampionat fiton ai që është më i shpejtë. Pa shpejtësi nuk mundesh”, tha ai. Pavarësisht forcës së Aprilias në këtë pistë, Markez synon të sulmojë.

“Do të përpiqem të sulmoj në çdo pistë dhe të jap maksimumin”, u shpreh ai, duke shtuar se ndihet më mirë se në garat e fundit në Asen dhe Misano. Në lidhje me formatin e ri të garave, Markez pranoi se ai sjell më shumë intensitet për pilotët, ndërsa për vendimet e organizatorëve ishte i qartë: “Nuk vendosim ne. Kjo është situata dhe duhet të përshtatemi”. Për sa i përket axhendës në Indonezi, të shtunën në orën 09:00 do të zhvillohet Sprinti, ndërsa të dielën në të njëjtëon orë do të jetë radha për strtin e garës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb