Fjalë të pathëna!… Kur e lexova për herë të parë këtë titull në dorëshkrimin e këtij libri, në fillim hezitova, por shpejt e kapa simbolikën apo thelbin e asaj nisme të artistit, që në muzgun e jetës kërkonte të pohonte përjetimet e tij në film, atë që s’kishte thënë më parë, atë që përbënte në fund të fundit një jetë, jetën para dhe pas kamerës, që si një nevojë të brendshme e shtyu ta dëshmojë…”.

Me këto fjalë e nis parathënien e librit “Të pathënat” të Muharrem Fejzos, Luan Rama. Si një ndër lexuesit e parë të librit e kineast, Luan Rama shënon se “Muharrem Fejzo është një nga pionerët e parë të kinematografisë shqiptare dhe përfaqësues i asaj gjenerate që krijoi fytyrën e kësaj kinematografie në ditë të vështira, në ditë censure, frike dhe diktati të politikës mbi artin, por që sidoqoftë, ishin ata që krijuan vlera të tilla artistike në këtë art sintezë, të cilat mbeten themelet e këtij arti në historinë e kinemasë shqiptare.

Fejzo është një nga ata pinjollë të pasionuar të “artit të shtatë”, kinematografisë, që si teknikë u bë e njohur me vëllezërit Lumières në “Bulevardin e Kapuçinëve” në Paris. Rama vëren se më herët këto kujtime ishin mbi tryezën e Fejzos në blloqe të shumtë që e kanë ndjekur gjithnjë, në netët e gjata të trishtit, por dhe të gëzimit: «ditari i bardhë», «ditari kaf»… «blloku i kuq», «blloku i zi»… siç i quan ai, duke i emërtuar kështu në librin e tij ato blloqe që për vite të tëra pas filmit të tij të fundit Muri i gjallë në vitin 1989, dergjeshin në heshtje, ashtu memecë, duke mbajtur si të prangosur jetën e tij në film me aq shumë ngjarje të ngazëlluara dhe ngjarje trishti… Libri promovohet sot në ora 11:00 në Arkivin e Filmit nga autori, ndërsa ne shkëpusim dhe botojmë më poshtë disa copëza kujtimesh.

KUR CENSUROHEJ ROBERT NDRENIKA
– Thirre, thirre atë regjisorin. – I tha drejtorit. Nuk ishte e nevojshme. Fjala jehoi në muret e sallës. Sakaq u ndodha përpara tij(Feçor Shehut). Ishte i shkurtër bajagi. – Mirëëëë – shfryu zëvendësi. – More, po ky artisti sikur vërtetë ka qenë në organet tona. Ka punuar mirë qerratai(Filmi fije që priten). …Hamendjen time nuk e la të hiqet zvarrë kur përmendi mbiemrin e: – Ndrenika e ka mbiemrin ky djali, a po jo? – Po – u përgjigjëm njëzëri për vlerësimin e Robertit. Ai nuk foli më gjatë dhe gracka e dyshimit u tendos sërish. Vështrimin e hodhi te këmbët, panoramoi vertikalisht deri te sytë e mi. Mori frymë thellë, dhe më pas lëshoi kumtin e hidhur: – Duhet ta zëvendësosh, shoku regjisor!

Me siguri ju nuk mund ta dinit që ai ka një vëlla të arratisur! Ndryshe nuk mund t’i besonit atij rolin kryesor, dhe për më tepër atë të punonjësit të armës së sigurimit. Apo jo? Ë? – Po priste një përgjigje nga drejtori, por ai e pasoi tek unë. Përgjigja sakaq, më erdhi në majë të gjuhës: -Konsulenti i juaj shoku Farudin Ponçari, dhe autori i skenarit shoku Neshat, nuk e dinin këtë gjë? Mendoni pak, heqja e aktorit nga filmi është një goditje e rëndë psikologjike dhe shoqërore. Ajo mund të bëhet vetëm në rast se aktori nuk jep rezultat në realizimin e rolit të tij…- Ai nuk tha asnjë fjalë. U drejtua nga dera dhe ngjiti shkallët për të vajtur te zyra e drejtorit. Ne mbetëm të shushatur me një pikëpyetje të madhe që kish pushtuar gjithë materien gri.

Mbas gjysmë ore, erdhi drejtori dhe më tha: – Duhet të mendosh për zëvendësimin e Robertit. Nuk më la të them asnjë fjalë më tepër. Ngriti supet për të treguar se nuk kishte asnjë mundësi tjetër. Gjaku më hipi në kokë… Nuk artikuloja dot fjalët. Kur ai ishte duke u larguar i thashë: – Unë nuk kam kurajën civile ti jap këtë kumt, shoku drejtor. Bëni çfarë të doni. Pas kësaj ngjarjeje, dromca bisedash qarkullonin në kryeqytet. E përfytyroja Bertin, të cilin e njihja që në fëmijërinë e tij, në mes të asaj andralle që do t’i linte gjurmë gjatë gjithë jetës. Si do t’i dilja përpara. Por ndodhi ajo më e pabesueshmja. Berti kishte një bujari shpirtërore për ta pasur zili! Ai jo vetëm nuk mu zemërua, por hynte në travajet e mia. E merrte fajin për vete. Ishte bërë ai, shkaktar i rixhirimeve. I hedhjes në gropën e krematoriumit të qindra metrave film! I lodhjes, mundimit të një grupi të madh njerëzish… Kjo ishte fisnikëria e këtij aktori të madh, që jeta e tij e paskëtajme…

KRITIKA PËR ODISE PASKALIN
Ishin ditë të përcëlluara në angështi dhe trysni të gjithëkahëshme. Na kishin thirrur në një mbledhje të rëndësishme, e cila do të zhvillohej në sallat e “Teatrit Popullor”. Tema ishte kundër shfaqjeve të huaja në art e letërsi. Mbledhja kishte filluar që në dhomat e shtëpive, rrugicave me kalldrëm, bisedave kokë më kokë, e syçeltësi e gjithëherëshme. Në kryesinë e “Lidhjes së shkrimtarëve”, Ismail Kadareja ishte kritikuar rëndë për veprat e tij të “dykuptimta”. Ata që vuanin më shumë se Ismaili gjendjen e krijuar, ishin kolegët e tij. Megjithëse e vlerësonin talentin dhe fuqinë e pashembullt të tij, ishin të detyruar të mohonin veten, të tjetërsoheshin, të shndërroheshin në lakej të atyre që kishin në dorë, shpirtin, jetën dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Po nuk mungonin dhe ziliqarë, asetçinj të veshur me pushtet, të cilët prisnin rastin t’i suleshin fantazisë, elokuencës, guximit që kishte treguar komunisti Ismail!

Murmurima gjallonte në atë mbledhje. Pas pak, salla heshtoi. Në hyrje u duk shoqja Nexhmije Hoxha, e shoqëruar me shpurën partiake. Të pranishmit u ngritën në këmbë. Ajo duke kaluar midis nesh foli duke qeshur se nuk kishte përse ngriheshim. Na ftoi të uleshim dhe vetë zuri vend në presidiumin e zbukuruar me lule. Ajo i mënjanoi për të na parë më mirë. Meqenëse ishim shumë, në atë sallë ishin vendosur dhe stola të gjatë, si ato të ushqimoreve në konvikte apo ushtri. Mbas fjalës hyrëse stereotipe, filluan diskutimet. Ndër to ndërmend atë të një skulptori të “moshuar”, i cili e kishte kunjin me Odhise Paskalin. Në duart që i dridheshin nga emocioni, mbante një shuk fletësh disi të rrudhosura. Ishte trup gjatë, eshtak, ezmer. Njihej për monumentin e “Partizanit”, pranë kinemasë me të njëjtin emë r . Frazëshkëputur, zëdridhur, mbas çdo fjale shikonte nga shoqja Nexhmie, e cila diçka foli me drejtuesin e mbledhjes. – Se mua, O.Paskali, më ka vjedhur idetë qysh herët… Paskali më ka marrë dhe porositë që më vinin mua. Si mjaftonin paratë që mori nga Mbreti, Musolini…apo nga ato që bënte dhe sapun për robaqepësit… – Shoqja Nexhmie i tha që të kalonte në problemet që shqetësonin artin. – Po. Më fal.

“PASHALLARËT E KUQ”, KADARE -XHAFERRI
Tetori i vitit ’75, do të vinte me pështjellima të mëdha politike. Fletërrufetë ishin harbuar fare. Nxënësit e shkollave dhe sidomos studentët, pëshpërisnin me frikë për një grup të tmerrshëm antiparti, i cili kishte një emër gërryes antiparti: “Kasta” e që kishte dashur të përmbyste Enver Hoxhën. Nxënësit dhe studentët që kishin prindërit ushtarakë, filluan të mos dukeshin më nëpër auditore. Në këtë valë trysnie të paparë, u dëgjua edhe për një poezi të Kadaresë, “Pashallarët e kuq”. Ajo poezi bënte fjalë për “Komplotin ‘e llahtarshëm’, por për çudi, nuk qe botuar, madje ishte dënuar nga ‘Lart’”!

BILAL XHAFERRI-KADARE
Njeriu që ishte pranë meje, filloi të dridhej dukshëm sikur ta kishin kapluar ethet. Frymëmarrja iu shpeshua. Gjoksi i kërcente përpjetë. Gjaku i ku nga fytyra. Ngriti dorën dhe kërkoi fjalën. Nuk priti aprovim. – E di! E di që pas diskutimit tim, do të bëj shumë armiq! – Zëri i tij i ngjante një ngashërime. Pas një frymëmarrje të thellë vazhdoi: – Këtë e kam të qartë. E di, se liria ime do të ketë kufijtë e ngurtësuar. Por ndjenja ime qytetare, nuk më lejon që atë që kam për ta thënë ta gropos brenda qenies time. – Kumti i tij vërsulej ndaj krijimtarisë të I.Kadaresë. Llava që gëlonte përbrenda, shpërtheu duke ngarkuar shkrimtarin me akuza që baltosnin krenarinë dhe gjerësinë e mendimit të Kadaresë. Kishte mbledhur të gjitha anët e veçanta që përbënin individualitetin e tij.

Vazhdoi: – Në çdo faqe, në çdo libër, gjejmë lavire, shi dhe erë…një atmosferë e zymtë pa rrugëdalje…për mua.. – Shoqja Nexhmije u errësua në fytyrë dhe e ndaloi kumtin e tij. – Si e ke emrin ti djalë? – Pyeti ajo mërishëm. – Bilal Xhaferi! – u përgjigj ai pa u ngritur nga vendi. Gjunjët nuk e mbanin më. Ishte i vuvosur! “Nuk mungonin dhe ziliqarë, asetçinj të veshur me pushtet, të cilët prisnin rastin t’i suleshin fantazisë, elokuencës, guximit që kishte treguar Ismaili!”. Nuk e mbaj mend, diskutimi i tij, a ishte përpara apo mbas kritikës dhe autokritikës së fortë që kishte bërë Ismaili për poezinë “Pashallarët e kuq!”. Mos po përfitonte nga rasti, që Ismailin e kishin kritikuar rëndë për një poezi të gabuar ideologjikisht, dhe që për të ishte përdituar dhe vetë Ramiz Alia?

KRITIKA KADARESË
Vetëtimthi u mblodh organizata bazë e partisë e “Lidhjes së Shkrimtarëve”. Fjalën e kishte marrë hijerëndi i dhjamosur, Anastas Kondo, sekretar i partisë. Me sytë pothuajse të mbyllur ai kishte kumtuar ndër të tjera dhe: Jemi mbledhur për të shqyrtuar çështjen e një vjershe të gjatë të I.Kadaresë, dorëzuar në gazetën “Drita”: “Byroja Politike u mblodh në mesditë. Vjersha jo vetëm u dorëzua në redaksi, por u çua në shtyp për botim dhe u hoq nga shtypshkronja nga shoku Duro Mustafaj, dhe për këtë u informua Dritëro Agolli, i cili nga ana e tij mori masat e duhura. Ismaili është nga të paktët shkrimtarë që grindet më shumë për botimin e librave të tij. Ai shkon për çështje të tirazhit të tyre, të letrës, bile dhe të gërmave me çfarë do të shtypen ato, deri në aparat të K.Q. deri te shokët e Byrosë Politike. …

Ne këtë poezi Ismaili i vuri detyrë vetes diçka krejt të gabuar: Të dilte zëdhënës i partisë për problemin e komplotistëve dhe gaboi keqas. Ai ngatërroi punën dhe veprimtaritë armiqësore të komplotistëve me luftën që bën Partia kundër burokratizmit. Pse nuk mendoi njëherë Ismaili: Pse nuk ka dalë Partia haptazi në shtyp për problemin e komplotistëve? Ai kujtoi se është më i mençur se partia, dhe mendjemadhësia e çoi atje që ai ta hiqte veten për zëdhënës të Partisë… Për këtë shoku Ramiz Alia, sekretar i K.Q. e kritikoi shumë rreptë… Shoku Ismail premtoi se do të reflektojë për shkaqet që e çuan në shkrimin e kësaj vjershe. Unë mendoj që për këtë të dëgjojmë së pari Ismailin…” Dhe Ismaili i kishte “fryrë lugës së tij”. Kishte bërë një autokritikë shumëfaqëshe, ku e kishte capërluar veten dhe të tjerët. Domosdo. Nuk i bihet murit me kokë! Truri është armiku më i madh i njeriut. Ai na shkakton të gjitha shqetësimet. Apo jo?

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: