Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar mazhorancën gjatë fjalës së tij në Kuvend për korrupsion dhe mungesë legjitimiteti. Berisha iu drejtua socialistëve me tone të forta, duke deklaruar se nuk kanë as të drejtë ligjore dhe as morale të diskutojnë buxhetin, pasi sipas tij kanë ardhur në pushtet përmes zgjedhjeve të manipuluara.
Duke iu referuar raportit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë, kreu i PD-së përdori shprehjen “mullari i zi”, duke iu referuar Belinda Ballukut dhe kryeministrit Edi Rama, të cilët i cilësoi si simbolet e problematikave të evidentuara në raport.
“Banda e Lalzit, a e kuptoni çfarë përshtypjeje keni lënë te shqiptarët? Padrino gjithë fjalën e kishte kundër jush, sepse po i vjen fundi. Duesel Çela deklaron se paguajnë rrogë ministrash. Nuk keni asnjë të drejtë ligjore dhe morale të flisni për buxhetin. Ju nuk keni legjitimitet, keni dalë nga zgjedhje të plaçkitura dhe mbroni korrupsionin. Mullari i zi në raportin e BE-së janë Lubia dhe Palloshi i gjatë”, deklaroi Berisha.
Më tej, kreu i opozitës kritikoi edhe paketën fiskale, duke pretenduar se ajo do të rëndojë më tej gjendjen ekonomike të qytetarëve. Ai foli për 10 miliardë euro, ndërsa iu referua të dhënave të INSTAT-it për rritjen e të ardhurave dhe shtimin e varfërisë.
“10 miliardë vjedhje me paketën fiskale. A jetoni në Shqipëri apo jo? INSTAT-i deklaroi se për shqiptarët janë rritur të ardhurat dhe është shtuar varfëria. Çmimet janë 105% të mesatares evropiane. Me këtë paketë do të përzini shqiptarët, por të parët që duhen përzënë jeni ju. Por nuk do të përziheni, do të shkoni atje ku e keni vendin”, u shpreh Berisha.
