Elhan Kastrati, një nga tre risitë e Edy Reja për dy miqësoret e marsit, ka rrëfyer emocionet e tij në këtë grumbullim me përfaqësuesen kuqezi. Portieri i cili aktivizohet në Serie B, me ekipin e Çitadelës, shprehet i bindur se Shqipëria ka një grup të mirë që mund të arrijë gjëra të mëdha:

“Jam shumë i lumtur që jam rikthyer këtu. Kam qenë edhe herë tjetër. Me Rejan është herë e parë. Është krenari të luash me Kombëtaren.

Italia? Të them që është shkollë e mirë për portierët Italia. Jam rritur që i vogël atje. Italia nxjerr portierë me kualitet.

Shqipëria me Rejën? Shqipëria në këto momente ka një grup shumë kualitativ, e tregojnë dhe rezultatet. Mund të arrijnë diçka shumë të madhe në këto kualifikuese. Grupi është shumë i mirë.

Dy miqësoret? Varet nga kundërshtari, kundër Spanjës është pak më i vështirë rezultati të arrihet. Ne do të japim maksimumin. Sa i përket Gjeorgjisë, rezultati është shumë i rëndësishëm. Për ne nuk ka ndeshje miqësore kur ka skuadra mesatare, do të japim maksimumin.

Seria B? Është viti i dytë dhe vjet nga janari zura vendin e titullarit. Këtë vit objektivi është që të ngjitemi në Seria A. Jam shumë i lumtur.

Gjeorgjia dhe tifozët? Tifozët janë gjëja më kryesore për ne futbollistët. Është shumë e rëndësishme që të na mbështesin. Veçanërisht me Gjeorgjinë është e rëndësishme të shohim stadiumin plot”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb