Shqipëria priti evenimentin më madhor kontinental të mundjes, teksa më datat 20-26 prill në Tiranë u zhvillua Kampionati Europian për të rritur. Një kompeticion që solli në vendin tonë elitën europiane të këtij sporti, duke e shndërruar sallën “Feti Borova” në arenë duelesh shumë emocionuese të një niveli të jashtëzakonshëm.
Në Europian la gjurmë edhe Shqipëria, e cila arriti të fitonte dy medalje argjendi, që mbajnë firmat nga Islam Dudaev dhe Zelimkhan Abakarov, të dy sportistë që janë të federuar në Klubin Shumësportësh Tirana.
Podiumi u parë erdhi nga Dudaev, cili pasi kishte fituar 3 duele të premten, të shtunën kishte finalen kundër rusit Bashir Magomedov. Me gjithë përpjekjet dhe dëshirën për të synuar të artën, Dudaev nuk ia doli, pasi Magomedov u tregua superior, duke e marrë finale në shifrat 10-0, për t’i ngjitur ai në shkallën me të lartë të podiumit në stilin e lirë të peshave 65 kg. Gjithsesi, edhe vendi i dytë mbetet një rezultat i madh për Dudaevin, i cili e mbyll europianin si nënkampion me Shqipërinë.
Ndërkohë, të shtunë në tapet u ngjit edhe Abakarov, duke e filluar në mënyrë të shkëlqyer kompeticionin. Ishkampioni i botës shënoi tri fitore, duke nisur kundër italianit Simone Piroddu, të cilin e mposhti 12-2, për të vijuar me suksesin 6-2 kundër gjermanit Niklas Stechele, ndërsa në gjysmëfinale kaloi ns hifrat 14-3 azerin Nuraddein Novruzov. Pas kësaj dite të jashtëzakonshme, Abakarov u rikthye të dielën për finalen e madhe, teksa përballë kishte numrin 1 të botës në peshat 61 kg për stilin e lirë, rusin Zavur Uguev.
Ky i fundit triumfoi me rezultatin 4-0, duke merituar medaljen e artë, ndërsa argjendi i takoi mundësit kuqezi. Kështu Shqipëria e mbyll Kampionatin Europian me dy medalje argjendi, të cilat janë një arritje e madhe. Ndërkohë, përveç pjesës sportive, Shqipëria fitoi një tjetër “medalje”, atë të organizimit në mënyrë të shkëlqyer të një eventi kaq prestigjioz, duke marrë edhe përgëzimet e ndërkombëtareve, si për mikpritjen, gjithashtu edhe për mbarëajtjen e aktivitetit.
