Vitamina C është antioksidanti, antivirali, antibiotiku dhe antihistaminiku më i mirë në botë, sipas Andrju Saul. Më poshtë do të mund të lexoni se me çfarë shenjash të dukshme paraqitet në trupin tonë, mungesa në vitaminë C.
Gjakderdhja e shpeshtë nga mishrat e dhëmbëve
Është shenja më e dukshme e mungesës së vitaminës C, e cila ndihmon në sintezën e kolagjenit që është i rëndësishëm në forcimin e epitelit të mishrave të dhëmbëve. Në mungesë të saj, epiteli nuk mund ta mbrojë dot dhëmbin as nga bakteret, ndaj dhe shfaqet periodontit. Ndërkohë në të shkuarën, mungesa e vitaminës C, lidhej edhe me skorbutin, me rënien e dhëmbëve, si pasojë e dobësimit të mishrave të dhëmbëve.
Rënia e shtuar e flokëve
Vitamina C ndihmon në rritjen dhe forcimin e flokëve, si pasojë e shtimit të përthithjes së zinkut në zorrë. Në kushtet e mungesës së saj, rrënja e flokëve bëhet më e dobët dhe flokët fillojnë të bëhen më shpejt me yndyrë. Mungesa e vitaminës C ndikon edhe në vonesën në rritjen e flokëve tuaj.
Epistaksis
Epistaksis është gjakderdhja, apo hemorragjia nga hundët. Mekanizmi është krejtësisht i njëjtë me atë të mishrave të dhëmbëve. Mungesa e vitaminës C e dobëson epitelin, dhe sidomos endotelin e kapilarëve, duke çuar në shtimin e hemorragjisë edhe pa shkaqe të dukshme, psh trauma të ndryshme. Edhe në lëkurën e trupit ndodh po e njëjta gjë. Ajo bëhet e thatë dhe e skuqur në formë pullash, të cilat duken gati sikur do të gjakosen nga momenti në moment. Edhe plagët shërohen më ngadalë.
Ke dhimbje në artikulacione
Kërci i kyçeve, apo artikulacioneve tona është i pasur në fibra të kolagjenit. Duke qenë se vitamina C luan rol vendimtar në sintezën e kolagjenit, është e kuptueshme që mungesa e saj, do të bëjë që të kemi sasi më të ulët të kolagjenit edhe në artikulacione, duke i bërë ato të dhimbshme jo vetëm në ecje, por edhe në qetësi.
Ke imunitet të dobësuar
Vitamina C lidhet ngushtë edhe me forcimin e imunitetit. Jo më kot, në recetat e mjekëve për trajtimin e gjendjes së gripit, do të mund të lexoni edhe vitaminën C, e cila nuk ka efekte anësore dhe përthithet në sasinë që trupi e ka të nevojshme. Mungesa e saj bën të mundur shfaqjen e shumë infeksioneve, apo virozave të ndryshme, të cilat bëhen ndonjëherë edhe të vështira për t’u trajtuar apo për t’u përballuar nga vetë ne.