11 ditë pa kurën kryesore të mjekimit është lajmi më i keq për një bashkëshort që ka mbi një vit që qëndron në krah të gruas së tij teksa kjo e fundit bën betejën e saj për jetën kundër tumorit të gjirit.

Katër ditë më parë Marku denoncoi publikisht në News24 mungesën në shërbimin onkologjik të medikamentit ‘palbociclib’, por siç thotë dhe vetë të gjitha institucionet ku ka trokitur, përfshirë kryeministrin vijojnë të heshtin.

Në QSUT i thonë se medikamentet e rimbursueshme administrohen nga fondi i sigurimit dhe kujdesit shëndetësor, ndërsa vetë fondi premton se çështja do marrë zgjidhje brenda dy ditësh.

Në datën 23 shkurt 2021 bashkëshortja e Mark Markut duhet t’i ishte nënshtruar injektimit në gjak të tre medikamenteve në vazhdim të kurës 9-mujore kundër tumorit të gjirit. Por në shërbimin onkologjik mori dy nga tre medikamentet pasi ilaçi kryesor, ai më i shtrenjti që kushton 400 mijë lekë të reja terapi mujore është në mungesë.

Ndërkohë burime konfidenciale për News24 pohojnë se shkaku i mungesës së barit në farmacinë spitalore të QSUT lidhet me uljen e çmimit të indeksuar të medikamentit nga Ministria e Shëndetësisë për vitin 2021, që llogaritet më i ulët se një vit më parë. Çmimi i ri i vendosur nga qeveria nuk është pranuar nga depoja farmaceutike e nënkontraktuar e cila ka bllokuar furnizimin me medikamentin “palbociclib” të farmacisë spitalore.

Rreth një vit më parë qeveria miratoi rimbursimin 100% të medikamenteve kuruese të tumoreve të gjirit ku përfshihet edhe medikamenti “palbociclib”, por pa kaluar viti duket se kanë nisur problemet e para.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb