Disa prej emrave më të fuqishëm të teknologjisë amerikane do të jenë të pranishëm javën e ardhshme në darkën shtetërore që do të organizohet në Shtëpinë e Bardhë në nder të Presidentit kinez, Xi Jinping. Sipas New York Post, në listën e të ftuarve për eventin e 24 shtatorit janë themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, drejtuesi i SpaceX dhe Tesla, Elon Musk, si dhe drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman.
Në darkë pritet të marrin pjesë gjithashtu drejtuesi i NVIDIA-s, Jensen Huang, CEO i Google, Sundar Pichai, themeluesi i Dell Technologies, Michael Dell, si dhe CEO e Citigroup, Jane Fraser. Në mesin e të ftuarve është edhe Tim Cook, i cili, sipas raportimit, dha dorëheqjen si CEO i Apple muajin e kaluar.
Disa prej këtyre emrave kanë qenë më herët pjesë e delegacionit amerikan që shoqëroi Donald Trump gjatë vizitës së tij në Pekin në maj. Elon Musk, Jensen Huang, Tim Cook dhe Jane Fraser morën pjesë atëherë edhe në darkën e organizuar nga Xi Jinping në Sallën e Madhe të Popullit. Vizita e presidentit kinez në SHBA pritet të nisë të mërkurën. Xi Jinping pritet të pritet personalisht nga Donald Trump pas mbërritjes së tij në Bazën e Përbashkët Andrews. Takimi dypalësh mes dy presidentëve është planifikuar për të enjten, ndërsa në të njëjtën ditë pritet të zhvillohet edhe darka shtetërore në Shtëpinë e Bardhë.
