TIRANË

Është miratuar në parim nga komisioni i sigurisë projektligji për amnistinë i propozuar nga qeveria që u jep mundësinë 164 personave të fitojnë lirinë.

Por gjatë diskutimeve ka pasur edhe debate. Deputeti i opozitës së re, Myslim Murrizi, njëherazi edhe nënkryetar i Kuvendit tha se nuk ka mbetur më pikë dinjiteti në këtë shtet duke akuzuar maxhorancën se e ka ndryshuar kodin penal ‘si i do qejfi’.

“Do ishte mirë që amnistia të bëhej para vitit të ri. Nuk ka mbetur më pikë dinjiteti në këtë shtet e qeveri. E keni ndryshuar Kodin Penal si ju do qejfi. Do dënoni ‘Zogun e Tiranës’, e keni përdorur për vota”, tha Murrizi duke iu drejtuar deputetes socialiste Ermonela Felaj.

Ndërkohë duke folur me ironi, ai i kërkoi ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj të thotë kur është tërmeti tjetër.
“Do të vlerësoja shumë nëse je parashikuese. Na thuaj kur do jetë tërmeti tjetër?”, u shpreh Murrizi.

164 të dënuar do të përfitojnë nga ligji për “Për dhënie amnistie”, të propozuar nga qeveria. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj paraqiti sot para deputetëve të Komisionit të Sigurisë detaje nga projektligji.

“Nga ligji për dhënie amnistie përfitojnë 164 të dënuar, 141 janë meshkuj dhe 22 janë gra dhe 1 i mitur. Kjo si shifër i referohet të dhënave të marra ditën e martë”,- theksoi Gjonaj.

Ajo tha se qeveria në hartimin e projektligjit “Për Dhënie Amnistie” ka qenë e kufizuar në përcaktimin e kategorive, duke qenë strikte sa i takon kategorive të të dënuarve me rrezikshmëri të lartë.

“Rastet e fundit, ku kemi pasur lirimin e disa subjekteve kriminale me rrezikshmëri të lartë, me dënime alternative siç kanë qenë lirimet me kusht për të cilat edhe unë si ministër Drejtësie kam marrë masat dhe kam reaguar, duke kërkuar nga institucionet e drejtësisë reagimin e përshtatshëm lidhur me vendime të tilla të paligjshme në konsideratat e mia dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe për këtë arsye kemi qenë shumë të fokusuar për të kuptuar dhe për të qenë të kufizuar lidhur me kriteret dhe kategoritë të atyre që do të përfitojnë nga kjo amnisti”,- theksoi Gjonaj.

“Për hir të së vërtetës, tha Gjonaj, ka një problematikë, ku edhe nga amnistitë e mëparshme që janë dhënë apo propozuar nga ministrat e mëparshëm të drejtësisë, janë përfshirë të gjitha kategoritë pa vënë kritere ndaluese, duke i krijuar mundësinë e përftimit edhe subjekteve kriminale me rrezikshmëri të lartë”.

“Nëse sot  apo më përpara në gjykata ka njohje të amnistisë edhe për subjekte kriminale që janë dërguar me burgim të përjetshëm apo dënime të larta, ato kanë përfituar edhe nga amnistitë e mëparshme. Kjo është vërtetuar edhe nga një studim që Ministria e Drejtësisë i ka bërë të gjitha amnistive që nga viti 2012 deri në vitin 2016, ku kategori të caktuara që lidhen me rrezikshmërinë e lartë shoqërore, kanë përfituar amnisti duke iu ulur dënimi me 1 apo 1.5 dhe 2 vite”,-tha Gjonaj

“E vendosa këtë në prezantim të amnistisë për të patur një pararendje dhe për të kuptuar pse ne, në këtë amnisti kemi qenë shumë striktë lidhur me kategoritë dhe subjektet kriminale që përfitojnë nga amnistia. Pra, për të shmangur dhe ngjarje të ngjashme që kemi jetuar dhe gjatë kësaj periudhe dhe të mos jetë amnistia që t’i japi mundësi subjekteve me me rrezikshmëri të lartë përfitojnë ulje të dënimit”,- sqaroi Gjonaj.

“Në këtë amnisti ka dhe një risi, që ka të bëjë me politikat kundër kriminalitetit që qeveria ka ndjekur dhe një nga këto ka qenë vënia e një kriteri ndalues që është përfshirë, dhe lidhet me futjen dhe mbajtjen e sendeve të ndaluara në IEPV”,-tha Gjonaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb