Qytetarët e Divjakës janë grumbulluar për të 31-tën natë radhazi në sheshin kryesor të qytetit për të kundërshtuar propozimin e shumicës socialiste për hartën e re administrative-territoriale, e cila parashikon shkrirjen e bashkisë së tyre dhe bashkimin e saj me atë të Lushnjes.

Pjesëmarrësit në tubim u bënë thirrje bashkëqytetarëve për një pjesëmarrje edhe më të madhe në ditët në vijim, me qëllim rritjen e presionit ndaj ekzekutivit.

“Duhet ta mbrojmë Divjakën. Por duhet të mblidhemi më shumë. Të gjithë bashkë ia arrijmë qëllimit që të mbrojmë Divjakën tonë,” – u shpreh nga sheshi një prej qytetarëve. Gjatë protestës nuk munguan as thirrjet e drejtpërdrejta ndaj kryetarit të Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea, prej të cilit u kërkua dorëheqja.

Protesta e mbrëmjes së sotme u përball edhe me një pengesë teknike, pasi sheshi kryesor ku ishin mbledhur protestuesit u fik plotësisht për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Qytetarët ngritën dyshime për këtë shkëputje, pasi mungesa e dritave preku vetëm hapësirën ku zhvillohej protesta, ndërsa të gjitha lagjet e tjera të qytetit vijonin të ishin normalisht të furnizuara me energji.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb