Poetja Natasha Lako ka mbajtur një takim letrar në qendrën “Sotir Kolea” ku u ndal te libri i saj i fundit, “Njeriu si një tjetër”. Në bisedë me të pranishmit, ajo foli edhe për lidhjen e saj me poezinë e nxitur që nga fëmijëria.

Në prag të ditës botërore të librit, poetja Natasha Lako ka mbajtur një takim letrar në qendrën “Sotir Kolea”. Mes njerëzve të letrave dhe artit, ajo u ndal te libri i saj i fundit, “Njeriu si një tjetër”, ku sjell shënime të pabotuara por edhe profile e përqasje mbi Bogdanin, Heraklitin, Naim Frashërin a Uollt Uitmanin.

“Nëse ka një libër që i shkon ‘Ditës së Librit’, është ky libër sepse flet për shumë autorë shqiptarë që kanë krijuar palcën tonë kulturore dhe atë të identitetit tonë kulturor. Megjithatë, esetë kanë këndvështrimin tim dhe vitet tona të reja kur po konkurrohemi nga inteligjenca artificiale”, tha Lako.
Ndërsa të pranishmit vlerësuar krijimtarinë e Lakos dhe aktori Mevlan Shanaj ndau episode familjare, poetja foli për një jetë mes vargjesh, ndikuar nga dashuria.

“Vazhdoj të jetoj për të shkruar e për të punuar. Unë këtë dashuri e kam ndjerë që e vogël kur më merrnin në krahë dhe më vishnin me ato dantellat e grave korçare. Ndoshta ajo dashuri më ka bërë të shkruaj. Thonë është vuajtja në përgjithësi, por ajo është e thellë dhe e pashfaqur. Ndoshta është shumë e brendshme. Te unë ka ndikuar dhe mënyra se si u pritën poezitë e mia të para, nëse nuk do ishin pritur mirë, mbase nuk do të kisha shkruar më”, tha ajo.
Lako është një emër I njohur I poezisë dhe skenarëve të filmave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: