Analisti Mentor Nazarko komentoi në rubrikën “Opinion”, në News24, zhvillimin më të fundit në vend, paralajmërimin e kryeministrit Edi Rama për krizën energjetike, problematikë kjo që përplasi sot në Kuvend edhe palët politike.

Në studion e News24, Nazarko tha se duhen besuar ekspertët se kjo është një krizë me efekte të përkohshme, ndërsa vlerësoi platformën e Partisë Demokratike, ku veçoi kërkesën për t’i kërkuar qeverisë që të ulë TVSH-n, si risi në aksionin e saj politik.

Duke u ndalur te debatet e sotme në seancë plenare, analisti theksoi se seanca e debatit, mund të shënojë instalimin e një frymë përmbajtësore dhe një gjë e tillë, sipas tij, duhet të ruhet nga opozita, pasi bën që Rama, dhe qeveria të përfshihen në dialog me argumenta profesionale dhe jo të personalizua.

“Kjo është një krizë me efekte të përkohshme, që mund të tejkalohet në fund të këtij viti-theksoi Guvernatori. Ka një përmasë të madhe të kësaj krize, me karakter global, por dhe një përmasë të saj me karakter të brendshëm, që lidhet me atë se kjo qeveri, apo gjitha qeverisjet shqiptare të pas 91’shit, nuk kanë ditur ta shndërrojnë vendin tonë ekonomikisht të vetëmjaftueshëm, pra që prodhon mirëqenie dhe punë për të mbajtur qytetarët e vet në vendin e vet. Ne besonim se një qeveri e majtë si e Ramës, do ta adresonte këtë problem dhe do të kishim rënie të numrit të atyre që zgjedhin Perëndimin për të ndërtuar jetën e tyre, por ka ndodhur e kundërta. Pse? për shkak se, siç duket, qeveritë, dhe kjo e Ramës së fundi, nuk kanë arritur të bëjnë shndërrimin e modelit tonë ekonomik: nga model mbështetur te tregtia, tek porosia publike, në ekonominë prodhuese, bujqësore, që shfrytëzon pozitën e vendit tranzit, etj. Akuzat që bën opozita për përqendrim të kapitalit në disa duar, teksa shumë po ikin, tregon se ndërsa po pasurohet një numër i vogël individësh, kemi një numër të madh njerëzish, që po varfërohen. Dhe e gjitha kjo ndodh me një qeverisje të majtë, që ka patur mjaftueshëm kohë- 8 vjet, sa të ndryshonte shumëçka.

Opozita po propozon një masë, siç është zvogëlimi i TVSH nga 20% në 6%, për produktet ushqimore. Nëse arrihet kjo, do të ishte një gjë e mirë, ndonëse Ahmetaj tha, se ulja e TVSH për inputet bujqësore, nuk solli në uljen e çmimit . Por, vetë paraqitja e një kërkese nga opozita, në stilin amerikan të të bërit opozitë, duke përfaqësuar interesa dhe mbrojtur ato, është elementi i parë që e bën të shëndetshëm hullinë e debatit, në të cilën ka hyrë politika jonë. Kryesorja është që debati politik nisi të hyjë në një hulli profesionale. Mua më pëlqeu kjo lloj fryme përmbajtësore, që po instalohet në Parlament, pavarësisht teprimeve retorike në të cilat Basha madje nuk është as i natyrshëm, si ishin sulmet ndaj kryetares së parlamentit, etj. Rama nga ana e vet, po përpiqet që të mos përfshihet në debate të ashpra, të personalizuara. Kjo është një shenjë e mirë, klimë e mirë, dhe unë shpresoj që opozita ta ruajë fokusin përmbajtësor, duke ruajtur gjuhën korrekte, se përndryshe i bie që z. Basha di vetëm të recitojë në një mënyrë- atë agresiven e mandatit që shkoi. Ai nuk duhet të kompleksohet nga Foltorja, pasi çelja e Parlamentit në një farë mënyre e nxjerr jashtë loje Foltoren monologiale, si vatër masive dhe cilësore e debatit politik. Edhe Rama duke ndjerë këtë, u përpoq të japë një shpjegim profesional për rritjen e çmimit”, tha Nazarko.

Më tej, analisti Nazarko komentoi akuzat e opozitës se modeli ekonomik shqiptar është fokusuar në një grup të vogël individësh dhe kompanish, i cili kontrollon ekonominë teksa u shpreh se “Opozita dikur ka privilegjuar sulmin e personalizuar, në emër të një biznesi apo një tjetri, ndonëse Basha megjithatë nuk është si Berisha, i cili përmendte me emër titullarët e kompanive të mëdha apo familjet e tyre. Kjo e përmendjes më duket një teknikë që ka brenda shantazhin, sipas parimit: mbrojtja më e mirë është sulm. Por, nëse opozita vazhdon ta mbajë fokusin denoncues, por argumentativ, dmth me cilësi të re, kjo do të ishte risi. Çfarë po shohim? Ndonëse në këtë vend, gjithçka është e privatizuar, ama kompanitë kryesore, më të fuqishmet në treg, janë partneret apo kontraktueset kryesore të shtetit, dhe opozita duhet t’i bëjë presion Ramës që kjo të ndryshojë, duke riorientuar biznesin dhe ekonominë. Çështja e TVSH është vetëm një element, por platforma e opozitës më ngjan si fillesë e mirë, që të dyja palët të ulen në diskutim. Është dështimi i kësaj qeverie, që ka fuqizuar grupe të mëdha ekonomike, që kontrollojnë pjesën më të madhe të kësaj ekonomie, që ndihmojnë në zgjedhje, që kontrollojnë pjesë të rëndësishme të aparatit shtetëror, policisë, prokurimit publik, doganave, dhe kjo duhet të ndryshojë me mjete ligjore dhe politike. Sigurisht duhet konsensus dhe për këtë. Ndaj dhe le të shpresojmë që ky zhvillim të jetë fillesa e një ndryshimi të madh cilësor në dialektikën tonë politike”.

Gjithashtu, analisti u ndal dhe te një tjetër zhvillim i rëndësishëm i kësaj jave, përkatësisht samiti Ballkani Perëndimor-BE, që kishte në fokus integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit, por që përfundoi pa një datë konkrete.

“Samitet BE Ballkan kanë karakter periodik, aq më tepër ky samit që është i konceptuar nga Kancelarja Merkel si pjesë e procesit të Berlinit. Znj. Merkel, ndonëse në fund të karrierës së saj, ka dashur nëpërmjet tyre të japë shenja reale të ankorimit të Ballkanit në integrimin e tij në BE. Ajo i vuri vulën një zhvillimi, që lidhet me samitin e Sllovenisë, dhe që ishte “jo, nuk japim datë”. Pse? Mosdhënia e datës lidhet jo thjesht me skaramanci, a shtënie falli, por dhe me frikën e dështimit si me operacionin në Afganistan, ku u dha datë për tërheqjen e trupave. Merkel e sqaroi këtë, ku tha se pse BE nuk preferon të japë datë. Data, sipas saj, mund të shtyjë palët të zvarrisin procese, që nuk i vlejnë vetë BE. Ky samit reflektoi krizën e brendshme, mungesën e unitetit të shteteve më të mëdha evropiane, ndarjen në blloqe shtete të vogla e të mëdha, mungesën e vizionit, reflektimin e proceseve zgjedhore në vendimmarrjen europiane, etj.

Diçka që më bëri përshtypje: e para kishte një takim Kurti-Vuçiç, me praninë e Merkel dhe Macron, një takim që u zhvillua jashtë vëmendjes së medias, pa fotografi. Kjo është bërë pasi dy udhëheqësit ballkanikë nuk kanë dashur të ketë fotografi, takim ku dy udhëheqësit europianë kanë dashur të vlerësojnë shanset e një progresi, që Merkel e quajti “të vogël”.. Nga ana tjetër, pashë që Vuçiç tha se ndenji me Macron dhe foli gjatë, ndërkohë që Kurti nuk ka thënë asgjë rreth këtij takimi. Kjo është tregues i qartë i nivelit apo një fryme të vjetër, në të cilën ka hyrë ky dialog. Imagjinoj se Merkel apo Makron kanë dashur foto, por ballkanasit jo, sepse duan të mësojnë audiencat e tyre, me klimë tensioni verbal nga llogorja në llogore, aq më tepër para zgjedhjeve.

E dyta, përfshirja e Ramës në diskutim të marrëdhënieve maqedono-bullgare, në gjykimin tim ka qenë i tepruar, i panevojshëm, pasi ne nuk kemi asnjë arsye të përfshihemi në një konflikt të tillë. Në gjykimin tim, Bullgaria ka pjesërisht të drejtë, që kushtëzon Maqedoninë e Veriut , ndonëse kishte kohë ta bënte më herët gjithçka. Shqipërinë nuk e lidh asgjë, përveç ritmeve të integrimit tonë që lidhet me fqinjët. E vetmja gjë e logjikshme që qëndron në gjykimin e Ramës, është ndoshta frika që ka Shqipëria se ky precedent mund të përdoret nga Greqia për të bllokuar rrugën tonë drejt BE, pasi ne kemi identikisht rreth 200 mijë shqiptarë që jetojnë atje, apo këtu dhe kanë marrë nënshtetësi, dhe se papritur problematika e tyre mund të përdoret prej Greqisë në një skemë të ngjashme si Bulgaria”, përfundoi Nazarko.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb