TIRANË- 22-vjeçarja Nazime Visha pritet nga momenti në moment të lërë qelinë e burgut 325 në “Ali Demi” për të dalë e lirë. Personi që ka marrë rrugën menjëherë sapo ka mësuar lajmin për ta pritur para burgut është gjyshja e saj, Drita. Me emocione të papërshkrueshme, gjyshja tregon se e ka bërë me vrap rrugën për tek burgu, ndërsa pavarësisht padurimit nuk ka harruar të falënderojë gazetarët, Presidentin dhe Ministrin Manjani.

“Më telefonuan që është falur Nazimja, nuk e dija. Unë sot kam një gëzim shumë të madh, nuk e imagjinoja këtë gëzim. E kam marrë që nga fusha poshtë deri këtu me vrap. Nuk kisha një njeri që të më shtrëngonte aq e gëzuar isha. Ka vuajtur në burg një minorene. Falënderoj gjithë gazetarët dhe gazetaret, falënderoj shtetin, falënderoj Presidentin Bujar Nishani, falënderoj presidentin e drejtësisë Ylli Manjani. Përshëndes gjithë politikanët e Shqipërisë, janë shumë të mrekullueshëm”, tha ajo.

Drita tregon se fillimisht do e marrë Nazimen në shtëpinë e saj, ndërsa thotë se prindërit ndodhen në Zallbastar. Ajo është optimiste për të ardhmen e Nazimes, për të cilën thotë se ka marrë shumë profesione në burg dhe do të kërkojë punë sapo të dalë.

“Prindërit e saj janë në fshat në Zallbastar. Do e marr unë. Prindërit e vet e kanë falur me kohë, nuk kemi asnjë vërejtje. Nuk e di nëse do jetojë me mua. Të ardhmen e saj e shoh mirë. Do kërkojmë punë, shkollë. Ajo ka mësuar gjithë ato zanate, parukiere, rrobaqepëse, kuzhiniere, ka qenë e disiplinuar”, thotë gjyshja që ka marrë edhe ëmbëlsira me vete për t’ua shpërndarë gazetarëve dhe personave të tjerë të pranishëm në lirimin e Nazimes.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: