Fitore e vështirë për Oklahoma City Thunder në NBA. Kampionët në fuqi mposhtën Boston Celtics me rezultatin 104-102, duke regjistruar suksesin e 52-të sezonal. Protagonisti kryesor ishte Shai Gilgeous-Alexander, i cili realizoi 35 pikë dhe vendosi një rekord të ri në ligë.

Basketbollisti kanadez arriti në 127 ndeshje radhazi me të paktën 20 pikë, duke kaluar rekordin historik të Wilt Chamberlain, i cili ishte ndalur në 126 ndeshje mes viteve 1961 dhe 1963. Seria e Gilgeous-Alexander kishte nisur më 1 nëntor 2024.

Ndërkohë, Los Angeles Lakers siguroi një vend në play-off pas fitores spektakolare 142-130 ndaj Chicago Bulls. Luka Dončić ishte i jashtëzakonshëm me 51 pikë. Detroit Pistons mbrojnë vendin e parë në Konferencën e Lindjes falë fitores së thellë 131-109 ndaj Philadelphia 76ers, në një ndeshje ku shtatë lojtarë të Pistons realizuan mbi 10 pikë.

Zhgënjen San Antonio Spurs, që u mposht në shtëpi 136-131 nga Denver Nuggets. Jamal Murray shkëlqeu për Nuggets me 39 pikë, ndërsa 30 pikët e Castle nuk mjaftuan për Spurs. Fitore të rëndësishme mori edhe Miami Heat, që mundi 112-105 Milwaukee Bucks dhe u ngjit në vendin e gjashtë në Lindje. Për Bucks nuk mjaftuan 31 pikët e Giannis Antetokounmpo, ndërsa te Miami u dallua Larsson me 28 pikë. Sukses edhe për Phoenix Suns në transfertë: falë 43 pikëve të Devin Booker dhe 36 të Green, Phoenix mposhti Indiana Pacers me rezultatin 123-108.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb