Dhimbja më e madhe në këtë kohë pandemie është e atyre familjarëve që përcjellin në banesën e fundit njeriun e afërt. Për fat të keq, edhe gazetari i njohur Sokol Balla, përjeton në këtë kohë të vështirë humbjen e njeriut të shtrenjtë.

Mjeshtri i Madh, kameramani i njohur i RTSH-së, Lulzim Balla, është ndarë nga jeta ditën e djeshme në moshën 73-vjeçare pas luftës disavjeçare me një sëmundje të rëndë. I ati i gazetarit të njohur Sokol Balla, një nga figurat që ka shënuar emër në Televizionin Shqiptar, vuante prej 5 vitesh, por luftën me sëmundjen nuk e fitoi dot.

Babai i gazetarit, për 43 vite, Lulzim Balla shërbeu në RTSH, si mjeshtër i kameras duke u kujdesur në detaje për imazhin e të gjithëve. Gjithnjë i qeshur e fjalëpak e me një karrierë të gjatë mbi supe, ai arriti në kthehej në figurën më të dashur për institucionin ku shërbeu për vite me radhë me përkushtim e devotshmëri. Si një mjeshtër i kameras puna e tij ka lënë mbresa të pashlyera dhe është fiksuar memorien e publikut dhe në arkivën e RTSH. Ndërsa me eksperiencën e pasionin e tij shërbeu si një shkollë më vete për breza e breza të rinjsh. Nga viti 2011, Lulzim Balla kishte marrë titullin ‘Mjeshtër i Madh’ nga presidenti i Republikës, Bamir Topi.

  • foto galeri

Pa dyshim që në këtë humbje të madhe nuk mund të mungonte dhe një mesazh i ndjerë nga i biri, i cili shkruan se ndarja me babain ishte e dhimbshme.

“Ndarja me babain, e dhimbshme dhe e qetë. Faleminderit për atë që bëri për mua. Nëse mendoni se kam diçka të mirë, ju siguroj e kam prej tij. Sa për vizitat: Është kohë pandemie. Jam i sigurt që Lul Balla do jetë në lutjet tuaja në distancë. Të gjallët takohen edhe më vonë. Të ruajmë distancën fizike, rëndësi ka afërsia shpirtërore.”,- shkruan Sokol Balla në mesazhin e tij.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: