Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish influencerët, blogerët dhe personazhet e rrjeteve sociale që kanë marrë pjesë në protestat e ditëve të fundit kundër qeverisë, duke i akuzuar se po i përdorin tubimet për të rritur ndjekësit dhe popullaritetin në internet. Ata janë kthyer në objekt kritikash të përsëritura nga kryeministri, i cili edhe më herët i ka akuzuar se po e përdorin protestën për vëmendje mediatike dhe përfitime në platformat sociale.

Gjatë fjalës së mbajtur në Fier, në aktivitetin për 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, Rama ironizoi pjesëmarrësit në protesta, duke thënë se shumë prej tyre shkojnë në tubime për të fituar “like” dhe “followersa” në rrjetet sociale.

“E mbushin për like e followersa. Ishte edhe një rast tjetër, e kemi në PS. I kishte ikur e dashura në protestë. I kishte thënë: çfarë bën atje? Epo atje i marr liket unë, ku do t’i marr tjetër këtu me ty”, tha Rama mes të pranishmëve.

Kreu i qeverisë u ndal edhe te protestat kundër projekteve zhvillimore në zonat e mbrojtura, duke kërkuar që ambientalizmi të ndahet nga ajo që ai e quajti “llapaqorrizëm” dhe “qorrollapizëm”. Sipas tij, Partia Socialiste është zgjedhur për të udhëhequr vendin dhe jo për të ndjekur zërat që kundërshtojnë çdo projekt zhvillimi.

Edi Rama: E mbushin për Like e Followersa. Ishte edhe një rast tjetër, e kemi në PS. I kishte ikur e dashura në protestë. I kishte thënë çfarë bën atje. Epo atje i marr liket unë, ku do t’i marr tjetër këtu me ty… Por patriotizmi nuk ka lidhje me këtë. PS është zgjedhur për të udhëhequr dhe jo për t’i shkuar nga pas të tjerëve. Deri në 12 qershor që kemi festën e madhe që besoj do vini në Tiranë. është mirë të mbyllet kjo bisedë dhe të ndahet ambientalizmi nga Llapaqorrizmi dhe nga qorrollapizmi… Duhet të ndahet… Kush e do bulevardin për ta qorrollapuar le të shkojë të qorrollapojë… Kishte nga këta të qorrollapuarit dhe thoshte kujdes, se Zvërneci është loja, por puna është në Darzezë… Çfarë do bëjë në Darzezë ai… Sipas tyre dhe atyre që i mbështesin. Shqipëria duhet të jetë rezervat… Këta na thojnë lumi i fundit i egër, po lumenjtë e tjerë përse i zbutet?

***

Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur protestat vijojnë prej 10-ditësh dhe kërkesat e qytetarëve kanë qenë largimi i kryeministrit dhe qeverisë së drejtuar prej tij. Çdo mbrëmje, në Tiranë mblidhen mijëra qytetarë të cilët marshojnë për orët të tëra në kryeqytet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: