Policia e Mirditës vijon zbatimin e planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.

Njoftimi i policisë:

Bllokohen nga Njësia Operacionale e Autostradës Milot-Morinë, dy automjete që transportonin lëndë drusore të prera në mënyrë të paligjshme. Procedohen penalisht dy drejtuesit e mjeteve që po transportonin lëndën drusore.

Në kuadër të bashkëpunimit me strukturat e DVP Lezhë dhe në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Njësisë Operacionale për Autostradën kanë konstatuar dhe ndaluar në Rubik, Mirditë, një mjet furgon dhe një kamionçinë që transportonin lëndë drusore.
Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se shtetasit A. S. dhe Gj. Ll. ishin duke transportuar lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme.

Drejtuesit e mjeteve, shtetasit A. S., 41 vjeç dhe Gj. Ll., 57 vjeç, banues në Mirditë janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Mirditë dhe në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Parandalimin e Krimit i kanë proceduar ata penalisht. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb