Komuniteti i biznesit shqiptar në diasporë është tronditur nga lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të Elisabeta Katiaj, Nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës, si dhe të Eorda Sinollarit, konsulente biznesi pranë Dhomës. Një aksident tragjik në autostradën Prizren-Suharekë u mori jetën dy grave sipërmarrëse.

Faqja zyrtare e Dhomës së Biznesit të Diasporës ka përcjellë një mesazh të ndjerë pas kësaj ngjarje të rëndë duke theksuar se Elisabeta Katiaj ishte një zë i fuqishëm dhe frymëzues për sipërmarrjen e grave shqiptare, njihej për përkushtimin e saj të jashtëzakonshëm në promovimin e biznesit shqiptar jashtë vendit dhe për rolin e rëndësishëm në nismat e diasporës, mes tyre edhe Samitin e Gruas së Diasporës.

“Largimi i saj i papritur ka lënë një boshllëk të thellë tek familjarët, bashkëpunëtorët dhe gjithë ata që e njohën. Dhoma e Biznesit të Diasporës ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjet e dy të ndjerave, duke theksuar se kontributi dhe kujtimi i tyre do të mbeten të paharruar”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të Dhomës së Biznesit të Diasporës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb