Universiteti “Luarasi” zhvilloi një leksion të hapur online me Dr. Jessica Nicola një mjeke profesioniste e specializuar në reumatologji dhe menaxhimin e dhimbjes kronike.
Gjatë prezantimit, Dr. Nicola ndau me studentët dhe pjesëmarrësit njohuri të avancuara mbi diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve reumatologjike, si dhe mbi qasjet moderne për menaxhimin afatgjatë të dhimbjeve kronike.
Zv.Rektori i Universitetit ‘Luarasi’ Petrit Bara theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti dhe se çfarë përfitojnë studentët nga ky leksion.
“Me leksionin e saj studentët tonë do të përfitojnë në përvojën dhe profilin e saj në fushën e reumatologjisë të osteoporozave të dëmtimeve muskulare që është një temë e nevojshme për fakultetin tonë dhe ky është një leksion shumë i vlefshëm”, tha Bara.
Leksioni solli shembuj praktikë dhe sqarime mbi mënyrat moderne të trajtimit, duke shënuar edhe një tjetër aktivitet akademik që forcon rolin e Universitetit “Luarasi” në diskutime bashkëkohore mbi shëndetin dhe mirëqenien.
“Këto janë në kuadrin e bashkëpunimit të Universiteti ‘Luarasi’ dhe të Fakultetit të shkencave mjekësore në këtë fushë e cila po rinovon të gjithë programet dhe online këto bëhen shumë leksione të mira të cilët studentët I marrin si metodikë”, tha Petrit Bara.
Organizatorët vlerësuan interesin e lartë dhe theksuan se leksione të tilla ndihmojnë në rritjen e cilësisë së formimit akademik dhe profesional.
