TIRANE– Deputetja e LSI, Klajda Gjosha ka reaguar pas ndërprerjes së mbledhjes së Komisionit të Politikës së Jashtme, ku po raportonte ministri Ditmir Bushati. Gjatë një prononcimi për mediat deputetja tha se qeveria ka frikë nga e vërteta dhe për t’u përballur si me anëtarët e opozitës por dhe me të vërtetën. Sipas Gjoshës, negociatat për anëtarësimin nuk janë çelur.

Prononcimi për mediat i Deputetes së LSI-së, Klajda Gjosha:
Jemi të detyruar të bëjmë këtë dalje për mediat si konferencë për shtyp, bashkë me nënkryetarin tjetër të PD, për një arsye të paprecedentë të mbylljes së Komisionit të Jashtëm me një dëgjesë me ministrin për Europën. Kjo gjë nuk mund të ndodh asnjëherë dhe në asnjë vend sepse frika tashmë nga e vërteta dhe frika për tu përballur si me anëtarët e opozitës por dhe me të vërtetën besoj që është e dukshme për të gjithë qytetarët shqiptar dhe nuk është normale. Sepse në fakt ti mashtrosh ata që negociatat janë çelur, kur jo vetëm që nuk janë çelur por Shqipëria duhe të kalojë tashmë në kushte të përcaktuara qartë nga konkluzionet e Këshillit Europian. Tashmë këto janë detyra të mbartura jo vetëm mbi qeverinë shqiptare por janë detyra që rëndojnë mbi shpatullat e çdo qytetari shqiptar për një proces të zvarritur prej vitesh. Jo vetëm që do të fillojë një proces teknik dhe shumë i rëndësishëm siç deklaruan dje zyrtarët e lartë të BE, por mbi të gjitha Shqipëria do duhet të kalojë tashmë në vazhdën e 5 prioriteteve kyçe që janë të lidhura ngushte me krimin e organizuar, me korrupsionin, me reformën në drejtësi, me mungesën e një sërë gjykatash që e kanë lënë pezull sistemin në Shqipëri dhe të drejtën e fjalës dhe të ankimimit për çdo qytetar shqiptar nga i pari deri tek i fundit.

Por tashmë vijmë dhe me kushte të shtuara që janë të lidhura drejtpërdrejt me azilkërkuesit shqiptar, numrin e tyre të shtuar në vendet e BE. Dhe mbi të gjitha me zgjedhjet dhe me standardin e zgjedhjeve që do duhet të plotësojë Shqipëria vitin që vjen por dhe në të gjitha zgjedhjet e ardhshme. Unë besoj që kjo frikë tashmë e ka pushtuar qeverinë shqiptare dhe këtë e tregoi sot fare mirë ministri për Evropën dhe Punët e jashtme dhe para se të vijnë këtu të bëjnë show-n e madh dhe të shpenzimeve të panumërta të aktiviteteve që zhvillon qeveria, do duhet në radhë të parë të ulet dhe të shikojë ato kushte dhe standarde jetese që sot i ka bërë të pamundura për qytetarët shqiptarë. Procesi i integrimit europian nuk ka të bëjë vetëm me politikën e madhe dhe me reformat e mëdha. Në rradhë të parë ka të bëjë me integrimin ekonomik të qytetarëve shqiptarë, me integrimin e atyre standardeve kryesore të jetesës minimale që ata duhet të kenë dhe sot nuk e kanë. Papunësisë së madhe që i ka pllakosur, investimeve që largohen çdo ditë nga vendi. Kjo është puna që ka qeveria dhe jo të bëjë show dhe propagandë politike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb