TIRANË

Pas publikimit të lajmit nga ish-kryeministri Sali Berisha se nga aksidentimi i eskortës së kryeministrit Edi Rama në Librazhd ka ndërruar jetë një badigard dhe një tjetër ka mbetur i plagosur, ka reaguar edhe Ministria e Brendshme.

Sipas Ministrisë së Brendshme, lajmi i publikuar nga ish-kryeministri nuk është i vërtetë, ndërsa shton se nuk ka asnjë problem për jetën e truprojave  të kryeministrit.

Ka qenë edhe vetë Ministri i Brendshëm Sandër Leshaj i cili ka reaguar për lajmin e sotëm, të publikuar nga Berisha.  Ai fton mediat dhe qytetarët të bëjnë kujdes ndaj dezinformimit. Sipas tij, ky lajm i pavërtetë pason të njëjtën tentativë kriminale për të mashtruar shqiptarët pas protestës së  2 qershorit teksa u tentua t’i faturohej Policisë një vepër kriminale, e cila sipas tij ishte kryer nga vetë protestuesit e opozitës.

“1/1 Mediat dhe qytetarët janë të ftuar për kujdes të shtuar ndaj dezinformimit të qëllimshëm si ky bllofi i turpshëm, që u pa qartësisht sot. 2/1 Ai pason të njëjtën tentativë kriminale për të mashtruar shqiptarët pas protestës së datës 2 qershor, kur u tentua t’i faturohej Policisë një vepër kriminale e kryer nga vetë protestuesit”-shkruan Lleshaj në Twitter.

Reagim i Ministrisë së Brendshme:

Ministria e Brendshme nuk angazhohet në përgënjeshtrimin publik të insinuatave apo lajmeve të rreme që publikohen nëpër rrjetet sociale.

Por kur media të caktuara, që pretendojnë seriozitet dhe përgjegjshmëri publike, bëhen zëdhënës të tyre, Ministria e Brendshme e quan me dobi publike reagimin.

MB hedh poshtë me neveri insinuatën e turpshme të publikuar sot në disa media për kinse humbje jete apo plagosje të truprojeve të Kryeministrit gjatë provokimeve nga disa protestues të Partisë Demokratike në Librazhd, më datë 13.06.2019.

Nuk ka pasur kurrfarë problemi për jetën dhe shëndetin e truprojeve të Kryeministrit gjatë veprimtarisë së zhvilluar në Librazhd, apo në qarqet e tjera të vendit gjatë këtyre ditëve.

Ministria e Brendshme fton median e përgjegjshme dhe opinionin publik që të jenë shumë të kujdesshëm me insinuata të kësaj natyre haluçinante, të cilat kanë shpesh herë të njëjtin burim dezinformimi dhe që synojnë vetëm një gjë: krijimin e një klime pasigurie dhe paqartësie në vend.

MB i kujton opinionit publik se nga i njëjti burim, që ka publikuar së pari insinuatën e sotme, vetëm përpara pak ditësh, u përhapën trillime monstruoze që synonin të kompromentonin Policinë e Shtetit dhe t’i ngarkonin asaj paturpësisht përgjegjësinë për goditjen e dy protestuesve gjatë protestës së datës 2 qershor 2019, të cilat, siç u provua botërisht, kishin ardhur nga protestues të tjerë.

MB fton mediat që kanë publikuar këtë insinuatë kaq flagrante dhe në shpërfillje të plotë të parimeve profesionale të gazetarisë që të distancohen nga praktika të tilla, që të përgënjeshtrojnë njoftimin e dhënë dhe të marrin masa që në të ardhmen të mos ndodhin më raste të ngjashme dezinformimi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: