Një 39-vjeçar është arrestuar në Himarë pasi u kap duke ndërtuar pa leje një objekt 5-katësh, njëri prej kateve nën tokë. Gjatë kontrolleve në terren, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë konstatuan se objekti, i ndodhur në vendin e quajtur “Sugë”, ishte ende në proces ndërtimi, por nuk dispononte leje.

Në vijim të veprimeve procedurale, policia arrestoi në flagrancë pronarin e objektit, L. B., 39 vjeç, banues në Tiranë.

Ndërkohë, janë shpallur në kërkim edhe tre punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) të Bashkisë Himarë, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”. Bëhet fjalë për D. H., 46 vjeç, kryeinspektor, si dhe inspektorët M. K., 31 vjeç, dhe A. H., 42 vjeç.

Policia vijon punën për kapjen e tyre, ndërsa po hetohet për të individualizuar dhe dokumentuar përgjegjësitë penale të secilit.

Kontrollet në territor vijojnë, veçanërisht gjatë sezonit turistik, me fokus evidentimin dhe goditjen e ndërtimeve të paligjshme dhe veprave penale kundër mjedisit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: