HIMARË – Situata paraqitet alarmante në Himarë, ku flakët e zjarrit kanë përfshirë kodrat pranë zonave të banuara, duke rrezikuar banesa dhe struktura turistike.

Përhapja e shpejtë e flakëve, e favorizuar edhe nga era, ka rënduar ndjeshëm situatën në terren. Për shkak të rrezikut, ka nisur evakuimi i banorëve, ndërsa po evakuohen edhe turistët që ndodhen në hotelet e zonës. Ndërsa disa banorë të tjerë janë vendosur anës detit, për t’i shpëtuar situatës kaotike, të krijuar nga tymi e flakët në zonë.

Në terren vijojnë të jenë të angazhuara forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin e flakëve dhe për mbrojtjen e banesave dhe objekteve që ndodhen pranë vatrave të zjarrit.

Në ndihmë të forcave vendase janë nisur edhe mjete zjarrfikëse nga bashkitë fqinje, ndërsa ndërhyrja po vijon në kushte të vështira për shkak të terrenit dhe përhapjes së shpejtë të flakëve.

Frika më e madhe mbetet përhapja e zjarrit drejt zonave të banuara. Banorët kanë kërkuar ndihmë, ndërsa ekipet e emergjencave vijojnë përpjekjet për të vënë situatën nën kontroll dhe për të garantuar sigurinë e banorëve dhe turistëve.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: