Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka quajtur ndihmën ushtarake të aleancës për Ukrainën, jo provokim por mbështetje për një vend të pavarur.

I pyetur në lidhje me vërejtjet e Papa Françeskut të botuara në fillim të kësaj jave se lufta në Ukrainë në një farë mënyre ose u provokua ose nuk u parandalua, Stoltenberg tha se NATO është një aleancë mbrojtëse dhe lufta nuk është e aleancës, por e Presidentit Putin.

“Kjo është një luftë që ai ka vendosur të bëjë kundër një kombi të pavarur sovran dhe ajo që NATO ka bërë për shumë vite është të mbështesë një komb sovran të pavarur në Evropë, Ukrainën.

Ky nuk është një provokim. Është presidenti Putin dhe Moska që janë përgjegjës për këtë agresion brutal kundër një vendi të pavarur”, tha Stoltenberg në një konferencë shtypi në Bruksel pas një takimi me ministrat e mbrojtjes.

Të martën, gazeta italiane La Stampa botoi fjalët e Papës, ku kreu i Vatikanit shprehej se ne nuk e shohim të gjithë dramën që po shpaloset pas kësaj lufte, e cila ndoshta në një farë mënyre ose u provokua ose nuk u parandalua.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb