Delegacioni i  BE ka reaguar për akuzat e Aleancës për Teatrin lidhur me ambasadorin Soreca.

BE sqaron se deklaratat janë të bazuara mbi shpifje pasi Soreca më 16 qershor ka takuar kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha por nuk pati asnjë diskutim për çështjen e hapur për Teatrin Kombëtar.

Po ashtu delegacioni i BE konfirmon se Soreca vazhdon të mbështesë pavarësinë e institucioneve gjyqësore.

Ditën e sotme Aleanca për Teatrin akuzoi Sorecan se po ndikon tek Gjykata Kushtetuese për të favorizuar në vendimin për Teatrin, kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Madje ata paralajmëruan se do të kërkojnë shpalljen non-grata të ambasadorit.

NJOFTIMI NGA DELEGACIONI I BE

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri përgënjeshtron me forcë deklaratat bazuar në shpifje prej një përfaqësueseje të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar drejtuar Ambasadorit Luigi Soreca.

Delegacioni i BE-së në Shqipëri konfirmon që Ambasadori Soreca është takuar me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Znj. Vitore Tusha, mëngjesin e 16 qershorit 2021. Takimi ishte pjesë e një serie takimesh që Ambasadori po zhvillon gjatë ditëve të fundit me të gjithë kryetarët e institucioneve të drejtësisë për të diskutuar mbi gjendjen e zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri. Gjatë takimit nuk pati asnjë diskutim në lidhje me çështjen e hapur në Gjykatë mbi Teatrin Kombëtar. Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe Ambasadori Soreca vazhdojnë të mbështesin fuqimisht dhe në mënyrë sistemike pavarësinë e të gjitha institucioneve gjyqësore shqiptare.

Delegacioni i BE-së rezervon çdo të drejtë për të ndjekur ligjërisht deklaratat e bazuara në shpifje të bëra sot në media.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb