TIRANE– I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, deputeti i PD Klevis Balliu ka folur për seancën e sotme të Kuvendit e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje. Kreu i Kuvendit vendosi përjashtimin e Klevis Balliut dhe të dy deputetëve të tjerë, Flamur Noka dhe Ervin Salianji pasi hodhën miell dhe letra në drejtim të kryeministrit.
Deputeti i PD ka komentuar reagimin e ministrit Ditmir Bushati, i cili zbrazi shishen me ujë në drejtim të deputetëve të opozites. Përmes një postimi në Facebook, Bushati kërkoi ndjesë që nuk ruajti gjakftohtësinë, pasi sipas tij ligësia e verbërisë politike është ulur këmbëkryq duke na turpëruar të gjithëve.
Deputeti i PD reagoi ashpër duke thënë se turpin e vulgaritetin Bushati e ka treguar me ambientet që frekuenton në Brazil.
“Në Evropë nuk do shkojme me arrestime si të Sul Bushatit, pra të babait të tij. Me arrestime siç i bënte Sula nuk do shkojmë në Evropë. Sa i përket vulgaritetit dhe turpit, ai i ka treguar me ato ambientet që frekuenton në Brazil. Shpërthimi i Bushatit vjen për shkak të ndjesisë së fajit që ka kjo qeveri. Edhe Rama kërkoi falje për kuksianët. Shfaqje të tilla në Kuvend kanë ndodhur edhe në vende që janë pjesë e BE. Unë doja të thoja se Shqipëria meriton të jetë pjesë e BE. Shqiptarët meritojnë të shkojnë në BE, por është qeveria që është e inkriminuar”- tha Balliu, raporton BalkanWeb.
(d.d/BalkanWeb)